You are currently viewing Pranim

Pranim

Pranimi të jep liri. Të liron nga të gjitha ngërçët që të kanë vrarë ndër vite. Me në fund pranimi kreh të gjitha nyjet që janë formuar ndër vite. Krijon atmosferën e duhur për t’u harlisur.

Pranoj të mirën

Të pranoj të mirën, të gjithën që më vjen. Të pranoj mendimin se e meritoj. Meritoj gjithçka kam dhe jam. Dua ti hap kanatat e shpirtit tej përtej e të përthith çdo fjalë të mirë që më jepet, çdo ledhatim, çdo veprim dashurie e të mbushem. E ke vënë re se sa të ashpër jemi me veten? Se dhe kur na thuhet një fjalë të mirë, e kundërshtojmë me gjithë forcën tonë, sikur të jemi armiq të vetes? Nuk dua ta bëj më. Dua të bierë e mira tek unë pa pengesa.

Pranoj të keqen

Ta pres me duart e hapura, pa frikë. Të pranoj të gjitha ndërlikimet e jetës, lëmshet më të thella. Edhe gjëmat ti pres ballë-lartë se është aty që mund dal me fitore. Të bie në paqe me të gjitha defektet e mia të supozuara dhe reale. Të gjitha huqet që ndër vite po koleksionoj. Të pranoj errësirën time më të thellë, të keqen ta shoh në sy se vetëm kështu mund ta trasformoj si dua.

Pranoj të tjerët

…siç janë, e jo siç i dua. Të pranoj kur ikin dhe largohen, kur me në fund shfaqin veten, ndryshimin e tyre. Nuk ka nevojë të përshtatem as të bie dakord, mjafton të lë pak hapësirë për mendimet e tyre dhe mjaft hapësirë për të miat e kjo le të jetë distanca jonë. Të pranoj se njerëzit nuk janë qenie statike,  herë të duan dhe herë të urrejnë, kështu zhgënjimet nuk do të shtohen.

Pranoj veten

Nuk dua më ato mendime autoimune, të cilat luftojnë veten kot. Të numëroj të gjitha të mirat të miat, e mos t’ia them njeriut. Të shfaq tërësinë për atë që është as më shumë as më pak. Të pranoj çka jam ndërsa mezi pres të shoh çdo jem nesër. Të jem si toka që nuk i ankohet qiellit për shiun që bie as për diellin përvëlues. Pranon toka, pranon. Me çka i jepet ajo prodhon, pret kohën, fsheh farën dhe në kohën e vet jep fryte.

Lexo edhe Tejndjeshëm

This Post Has One Comment

Leave a Reply