Më pëlqen kjo shprehje “pa qejf”. A nuk është e mrekullueshme? Është një nga ato shprehjet e pakta shqipe që ka konceptin e privacitetit në të. Nëse dikush të përgjigjet “pa qejf” do të thotë se nuk po ndihet mirë fizikisht por nuk është tepër keq. Apo, është shumë keq por nuk ka dëshirë t’ia shpallë gjithë botës, praktikisht po thotë nuk dua të flas për këtë. Do të thotë edhe se nuk është mirë emocionalisht, ka pasur një ditë të keqe. Ose siç më ndodh shpesh mua janë të gjitha këto bashkë! Fjala pa qejf të bën të mos ndihesh e mjerë dhe të mbulon me hir. Mbi të gjitha të shpëton nga detajet.
Një herë që kemi shpëtuar nga të tjerët, duke ikur me lezet me një – Jam pa qejf sot, të marr unë, – duhet të bëjmë llogaritë me veten.
Ndjenja e fajit
Në momentin që anulojmë diçka sepse jemi sëmurë, apo pa qejf, një ndjenjë faji zakonisht nuk do të na lejojë të rrimë rehat as atë ditë të shpifur me temperaturë. Fillojmë e mendojmë se mund të kishim duruar, çfarë do të mendojnë të tjerët? Mendojmë për të gjitha gjërat që nuk do të arrijmë të bëjmë.
Mentaliteti i dhembjes
Shtrihemi, ndoshta pa menduar, dhe presim shërimin në mëshirë të fatit. E vetmja gjë ndoshta, pijmë një qetësues. Sigurisht që duhet të mësojmë të bëjmë diçka për t’ia lehtësuar vetes dhembjen. Sikur edhe thjesht mendërisht.
Nuk ka pse të jesh mjeran vetëm se je pa qejf. – artikull i mëparshëm
Nëse je shumë keq, kujdesu vërtet për veten. Duke u vizituar te doktori, apo thirrur një person të dashur. Nëse është diçka kalimtare nuk është nevoja të bluash mendime negative për veten. Është veç një ditë, do të kalojë. Gjumi, mjekimet e duhura dhe pak humor bëjnë mrekullira. Shijoje ditën tënde. Mund të mbarosh më në fund atë romanin që ke lënë përgjysmë, mund të shohësh video gazmore, apo të dehesh me luksin e gjumit. Pij çaj dhe shijoje jetën edhe “pa qejf”.
Pa qejf por me stil …