Ishte një kohë kur shiu më mërziste shumë dhe më prishte humorin. Ndoshta sepse ishte koha kur s’kisha gjë tjetër që të më mërziste… ç’budallaqe!
Kisha përreth njerëz që ndikoheshin po ashtu nga moti. Disa mjerisht, vërtetë ndikohen dhe nuk i gjykoj, por për vete vendosa të ndryshoja.
Në radhë të parë sepse nëse sa herë të binte shi do qëndroja turinjvarur, duke jetuar në Tiranë, turinjtë e mi do kishin kaluar kufirin. Nuk më dukej ide e mirë. Nuk duroja dot faktin se moti mund të më kishte në dorë.
Një ditë “të bukur shiu” i thashë vetes: Mjaft, sot shiu le të bjerë e mos u ndjej! Le të lagë, le të shplajë, le të bëjë ç’të dojë. Nuk mund të fajësoj shiun për çdo gjë. Vërtet më dhemb koka kur bie shi, por fajin e ka migrena jo shiu. Si pra, nëse qenke me nerva e paska fajin shiu?
Ditën që fillova të “doja” shiun fillova të pranoja se është tepër e leverdishme dhe e poshtër të fajësojmë motin kur në fakt s’ka lidhje fare. Fillova të kuptoja se shpesh ankohesha kot. Se nuk mbaja përgjegjësi për qëndrimet e mia. Se isha kaq naive sa e lija në dorë të rastësisë humorin dhe suksesin e ditës.
Mora qëndrim. Vendosa me vetëdije të mos pranoja mendimin se shiu sjell mërzi. Përkundrazi, atë ditë dola jashtë pa çadër dhe e lashë veten të lagesha. Shiu m’u duk sikur më këndoi këngë. Më puthi, më përkëdheli, më zbukuroi. E lagur dhe e qeshur u ktheva e ndryshuar.
Që nga ajo ditë u ndjeva më mirë. Ditët e këqija u pakësuan. Shikoja me keqardhje njerëzit që akoma varnin turinjt në vend se të hapnin çadrën e të dilnin.
Nuk varet gjë nga moti, as nga njerëzit që të rrethojnë, veten e ke në dorë ti. Unë e harroj nganjëherë, por shiu ma kujton.
Nuk ka kohë të keqe dhe të mirë, ka qëndrim të keq e të mirë.
Bie shi hap çadrën, je i mërzitur hap mendjen.