You are currently viewing Në kafe
Photo by Polina Tankilevitch on Pexels.com

Në kafe

Në lagjen tonë, po bëhen rregullime. Bukur shumë. Prandaj matrapikun dhe disa vegla të tjera që nuk ua di emrin nuk i ndahen veshit tim. Me të gjithë respektin për sektorin e ndërtimit, dhe çmueshmërinë që kam për punën e tyre, u çmenda dhe dola. Më duhet të mbaroja disa punë por edhe shpresoja të mbyllja tregimin që kam nisur ka kohë. U turra drejt kafes. Kafja e lagjes ka gjithmonë muzikë. Një muzikë shqetësuese, ankth-sjellse, klub nate ditore, kur rimat janë ina ina ina, kokakola e patatina. Më duhet të gjej një tjetër. Dal tërë shpresë, dhe gjej kafen më të qetë të mundshme. E dini sa më duhet që të gjej përqendrimin? Nuk e keni idenë se nuk jeni unë. Hap kompiuterin, marr frymë dhe fill pas dy fjalish një grup grash, quhen mesogra? Nuk e di ato më duken si të tëra. Në momentin kur po frymëzohesha ia nisën me ” Kush e ka vilën më të mirë”

Njëra Lumja, më duket, zotëron bisëdën: Atëherë- thotë- Najlja e ka shtëpinë më të bukur se ka hedh lluks brenda. Moj, vetëm banja sa i ka bërë. Pra ajo mban kampion! E dyta është Sanija, i ka të gjitha, po dyert nuk i ka gjë. Mënyrja, del në vend të tretë, se i rroftë nusja që ka marrë se vetë nuk ka gusto. Që kur ka marr nuse i ka dal oborri në dritë!

U zhvillua biseda bukur, sa më shpërqendruan komplet nga tregimi im që ka shumë mundësi të jetë më pak interesant se rrobat e tyre të dollapit, meqë u numëruan dhe ato. Po, se njëra kishte më shumë rroba se tjetra dhe pati merak ta thoshte me zë të lart. Rrogat ua mora vesh, njëra ishte në pension por elbete kishte ca prona. Në fakt, njëra nga lagja e tyre lyhet shumë tha, nuk i shkon dhe duhet ti shmang bluzat me ngjyra të forta, dhe meqë jemi na qenka mjaft e shëmtuar. Sot u konsolidua prej këtij paneli i lagjes se pas 30-ve nuk duhen veshur zhaponetë dhe pas 50-ve nuk duhet të lyhesh. Nikoleta, nusja më e re, harxhon shumë kohë në telefon dhe merret me llafe, këto jo.

ps: Çimi e ka marrë për sevap atë nuse

Mos erdhi Çimi dhe Nikoleta për kafe!

Mua më rroftë frymëzimi.

Leave a Reply