…kuptova sa të çmuara ishin lotët e mia, ndoshta më beso dhe të tuat. Ato janë ar. Secila prej tyre derdhet bollshëm, ujshëm për t’u kthyer në pasuri. Qofshin gëzimi, shkëputen ato si paraçka prej syve, qofshin dhembje ato dergjen si curril i çmuar të pandalshëm. Mendova, shiko sa ndritshëm dalin lotët nga një shpirt që qan por nuk kërruset, shiko sa pastër rrëke vlere të pakëmbyeshme. Ja ar i kulluar del prej syve, në më pastë njeri afër t’i mbledh do të bëhet i pasur dhe i begatë. Nuk kam frikë të qaj, të gëzoj në ekstrem as të vuaj deri në skaj. Pasurohem. Buron shpirti, pasurohesh edhe ti. Mblidhi lotët e arta, por mos i shit, do të mbeten duart e thata! Mblidhi, shkriji, bëji unazë besnikërie. Mos i shit, do të bëhen mallkim tunxh mashtrues. Në mos qaj do ta mbaj brenda, në qaj do të buroj.
Më beso, nëse brenda ke ar lotët nuk do ta pakësojnë vlerën.
Disa informacione rreth kësaj pikture së njohur, e cila më ka frymëzuar përherë. Lotët e Freyes e ka pikturuar një artiste me emër Anne Marie Zimmerman stili është qartësisht i ndikuar nga Klimt, Freya është një figurë mitologjike vikingësh. Legjenda thotë se në mungesë të burrit të saj të dashur, qante dhe lotët e saj ktheheshin në ar. Është interesant sa mund të frymëzojë një pikturë, ndërlidhemi me të dhe pa ditur saktësisht kush e ka bërë dhe në vetvete domethënia e saj. Në këtë pikturë kam gjetur veten vazhdimisht.