You are currently viewing Lexo!

Lexo!

Kur them se kam lexuar gjithmonë ndoshta padashje gënjej pak. Ka pasur periudha relativisht të gjata që nuk kam prekur shumë libra. Periudhë për të cilën nuk jam shumë krenare, por më ka bërë të vetëdijshme se leximi është jetik për mua.

Ndeshem shpesh me paragjykimin se ai që lexon ka kohë për të humbur. Të tjerë mendojnë se kemi kokën nëpër retë. Kohë e humbur mund të jetë kur lexojmë tekste apo libra të rendomtë, pa nivel, banal që në fund nuk të duhen. Sa për kokën nëpër retë, nuk është dhe aq keq!

Leximi nuk përfshin veç romane. Ka momente në jetë kur mjerisht a lumturisht të duhet të përqendrohesh në gjëra më praktike. Prandaj leximi mund të përfshij libra apo tekste profesionale, mësimorë, teknikë, rritje personale dhe shumë të tjerë.

Sipas fazës së jetës zgjedh të lexoj, disa herë rilexoj libra apo tekste të cilat më kënaqin dhe më zgjerojnë botëkuptimin. Nganjëherë marr përsipër të mësoj diçka të re, kështu në këtë rast bëj kërkime online, përpiqem të gjej referenca të mirënjohura dhe të sigurta. Se fundmi janë shtuar shumë librat motivues, disa të tjerë që të mësojnë si të kesh suksesin maksimal në jetë. Nuk mohoj se i kam lexuar dhe disa nga informacionet më janë dukur të vlefshme. Megjithatë, për çudi kam mësuar më shumë nga një roman i shkruar mirë. Të jem e sinqertë ka disa romane të cilat referojnë ngjarje historike, vijë mendimi, mësime rreth natyrës njerëzore, të cilat mund të të motivojnë të jesh një person më i mirë, pavarësisht parave që mbledh. Përpiqem që motivimin mos ta marr borxh kujt, ta kërkoj thellë brenda vetes, motivimi duhet të jetë krejt i imi!

Ja disa arsye pse lexoj:

Zgjerim në botëkuptim

Zgjerimi i fjalorit

Biseda domethënëse

Përmirësim në të folurin/logjik

PS: Disa kanë pëlqyer wallpaper me Kurrë Gri në telefon, përgatita dhe një për desktop për ju të gjithë!

Leave a Reply