Nuk dua të shpjegoj pse shkruaj. Konsideroje si të duash terapi apo fiksim. Konsideroje çmenduri apo humbje kohe. Për disa shkrimi apo arti është vetëm një terapi e trishtueshme, por nuk është. Vërtet, mbase të shkruash të bën mirë… të tjerë thonë të bën keq, sido që të jetë unë shkruaj. Kur shkruaj jam unë, sepse është e vetmja gjë që nuk më ka lënë kurrë, në kohë të mirë dhe në të keqe.
Nuk shkruaj se më bën mirë, as nuk ndalem dot nëse më bën keq. Shkruaj sepse jam unë. A pyet njeri pse pikturon? Pse rregullon sende, apo pse flet? Nuk dua ta shpjegoj psenë edhe sikur të kishte një.
Më thonë: Si nuk lodhesh? Nuk kuptoj ku do të dalësh! Çne ti me këto mendime? Pse kaq trishtë? Nuk i kuptoj poezitë! Çfarë të bëri realisht të shkruash këtë apo atë? Këto nuk do t’i shpjegoj kurrë! Ashtu sikur unë nuk pyes si nuk lodheni duke u marrë me vogëlsirat e kësaj jete e i bëni të dukeni bëma heroike. Shpesh nuk kuptoj ku doni të dilni dhe nëse e kuptoj nuk më pëlqen. Ashtu, po ju lë të habiteni me mendimet e mia, ashtu sikur unë përditë habitem me tuajat. Do të zbavitem pak, ashtu sikurse juve ju duket për të qeshur që dikush shkruan poezi, apo i lexon ato. Nuk do të them se ku gjej frymëzimin, as se ku gjej fjalët, as çfarë ndiej kur i lëshoj në letër apo dikush m’i lexon. Prandaj mos u lodh të pyesësh, sepse jo çdo gjë kuptohet, ka disa gjëra që i ndien ose jo…
Kur shkruaj jam unë.
Lovely 💐♥️,
me pelqeu shume. madje shume u ke shpjeguar.vec shkruaj dhe ji Noa.💋
Faleminderit për mbështetjen!