You are currently viewing Haiku është një copëz jetë

Haiku është një copëz jetë

Ashtu si vetë jeta, haiku është në dukje i zakonshëm, por përbrenda bart të jashtëzakonshmen. Duke rrëfyer të tanishmen, çastin ku jemi, haiku bëhet ena ku koha rrjedh. Ndërrimi i stinëve, dita që vjen pas natës dhe elementi befasi. Haiku nuk ka nevojë për rimë, sepse jeta nuk rri brenda kornizave. 

Ashtu si koha që masim, haiku merr kuptim vetëm kur dy copëza të kundërta vendosen përbri njëra-tjetrës dhe shpalosin për syrin tonë atë që ndodh.

Ashtu si energjia jetësore, haiku rrotullohet pa u ndërprerë nga shenjat e panevojshme të pikësimit, duke filluar aty ku përfundon dhe duke mbaruar aty ku ka nisur, sërish e sërish.

Nisa të shkruaj haiku kur ndjeva se fjalët e kishin humbur emocionin dhe ishin shndërruar në shqiptime mekanike, të përsëritura, të zbrazëta. E mbaj mend haikun tim të parë. Isha ulur në një sallë, rrethuar nga shumë njerëz. Secili fliste pa dëgjuar tjetrin. Secili thurrte fjali gjithnjë e më të gjata, gjithnjë e më të zbrazëta nga idetë, nga emocionet, nga energjia krijuese. 

Haikun tim të parë, me tre rreshta dhe shtatëmbëdhjetë rrokje, e shkruajta në vend të shënimeve nga tema që (nuk) shtjellohej në atë sallë. Haiku ishte mënyra ime për të mos pranuar shpërdorimin e fjalëve. Haiku u bë për mua një dritare e vogël drejt një përmase të re. Në përmasën e haikut, secila fjalë ka peshë dhe nuk të lë në baltë dhe të gjitha fjalët së bashku shndërrohen në ura që të lidhin me të tjerët. 

U bënë vite që shkruaj haiku. Tre rreshtat dhe shtatëmbëdhjetë rrokjet patën fuqinë të më bëjnë të rri pa lëvizur, të përjetoj çastin dhe të shijoj fjalët e përzgjedhura me kujdes. Haiku më bëri t’i kushtoj vëmendje të plotë rrjedhës sime të energjisë dhe ku më çon ajo. Në një mënyrë, haiku më bëri ta shoh botën ndryshe dhe ta ndryshoj botën time.

Dielli ndriçon
Disa rreze largohen
Drita mbetet aty

Artikull dhe Haiku nga @thehaikusoul

Leave a Reply