Në qytetin nostalgjik të Korçës gjenden plot njerëz art-dashës dhe plot talente. Kam dëshirën të ndaj me ju dikë që, ndonëse moshës së re, po lë një shenjë me veprimtarinë e tij profesionale dhe artistike. Antonio Babliku ka tashmë një vijim të pasur profesional, nuk po zgjatëm së tëpërmi, në formë interviste vijojnë disa përgjigje të tij.
Na trego për librat e tu dhe stilistikën
Si lexues i hershëm, kënaqësinë më të madhe letrare ma kanë ofruar romantikët, realistët dhe fantazistët. I adhuroj romanet e mëdhenj, me personazhe të pavdekshëm dhe tëpaharrueshëm. Fantazia*, sidoqoftë, ka një vend shumë të veçantë në zemrën time. Kështu që besoj se s’është surprizë kur them që unë shkruaj në traditën e zhanrit të fantazisë, duke u përpjekur të shkrij atë që quhet “fantazi urbane” me “fantazinë epike”. Kam dashur që në librat e mi të kisha njëfarë toponimie dhe emrash anglezë dhe amerikanë, gjë që ndoshta më largon dhe më shkëput më shumë nga realiteti im dhe i lexuesve. Kjo ka qenë pjesërisht për faktin se fantazia ta kërkon njëshkëputje nga realiteti, gjithmonë duke e ushqyer dhe paradoksalisht duke e bërë më të qartë, por në momentin e leximit, është e nevojshme shkëputja.
* Këtu gjeni disa nga titujt prej tij në Good Reads
Çfarë do të thotë të jesh përkthyes:
Të njohësh kulturën, historinë, historinë e artit, mentalitetin, ideologjinë eksperimentale të artistëve, etj. Kjo të hap sytë për shumë gjëra, në çdo gjuhë, jo vetëm në anglisht. Si tip, më pëlqen të kërkoj dhe hulumtoj për histori vendesh, qytetesh, personalitetesh, kështu që edhe kjo pjesa e njohjes shteruese të diçkaje, sigurisht që është pjesë e rëndësishme e përkthimit. Pra, me sa thashë, për mua, të jesh përkthyes do të thotë jo vetëm të dish gjuhë të huaja, por edhe t’i njohësh thellë, të njohësh kontekstin historik, kulturor dhe social ku është zhvilluar ajo gjuhë, ai shkrimtar, ai vend që ti po ia sjell lexuesit shqiptar. Përkthimi është krijimtari aq sa është respektim i përpiktë i çdo fjale të autorit origjinal: ti duhet të sjellësh zërin e tij/saj në shqip, por për ta bërë sa më mirë këtë, dhe për ta bërë sa më të kuptueshëm për lexuesin, të duhet të kalosh një fazë hulumtimi dhe krijimi në gjuhën tënde. Më pëlqen që të zbuloj kreativitetin nëdimensione të ndryshme. Të jesh kreativ në shkrim është shumë ndryshe nga të qenit kreativ në përkthim apo në hulumtim. Është privilegj, ta kesh si punë, sepse je afër lexuesit të vendit tënd dhe lexuesit të huaj, ndërkohëndihesh afër autorit dhe botës së tij. Ajo shprehja: “Njeriu që lexon jeton qindra jetë, ai që nuk lexon jeton vetëm njërën” bëhet shumë më i vërtetë kur je përkthyes.
Meqë Antonio shkruan edhe poezi, natyrisht interesi im më i madh, pyes
Sa poet je?
Gjithmonë jam ndier droje nga ideja e të shkruarit poezi. E kam gjetur veten te proza, qëkur isha i vogël, dhe deri vonë, kisha shkruar vetëm një poezi, kur isha në klasëtë gjashtë, për motrën time. Megjithatë, vitet e fundit ndodhi një ndryshim. Në prozë, në romanet dhe tregimet e mia, rrëfej gjithmonë aventurat dhe jetët e personazheve që kam kirjuar. Sigurisht që ka reflektime të ideve dhe ndjenjave të mia, por nuk janë romane autobiografike dhe shumë gjëra nuk i shpreh dot. Vjet po dëgjoja shumë muzikë nga Taylor Sëift dhe Lana Del Rey, sepse jam fan i madh i të dyjave. Është e pamundur të dëgjosh disa nga këngë të tyre më pak të njohura dhe të mos mendosh: “Uau, ç’lirizëm!” Kanë disa këngë që krijojnë imazhe dhe ndjesi aq të qarta sa të provokojnë menjëherë katarsisin. Duke dëgjuar, veçanërisht albumet e tyre “folklore” dhe “Chemtrails Over the Country Club”, mendova, “Pse të mos eksperimentoj kështu edhe unë?” Nuk di të shkruaj muzikë, por di të shkruaj tekste. Kështu që fillova me histori imagjinare, pastaj ishte çështje kohe para se të filloja të bëja terapi për veten. Shkruaja ato që më frikësonin, ato që më trembnin, ankthet e mia, ëndërrimet e mia, edhe fantazitë e mia, por në poezi, jo më në prozë. Mendova sa fatkeqë ishin shkrimtarët që u vdisnin muzat para kohe, dhe pastaj mendova gjën më të trishtë të mundshme: po muza, ç’bën po i vdiq artisti që i ka premtuar ta sjellë në jetë? Fillova të shkruaja për ëndrrat e mia për t’iu arratisur peizaizhit urban, ndërkohë që paradokalisht adhuroja mjedisin urban, mes malesh, parqesh, stacionesh nafte… Shkrova edhe poezi që nuk e di si mund t’i ndaj me botën, poezi se si mund të humbasësh diçka hyjnore, të ndihesh i shkëputur nga realiteti aq sa të detyrosh këdo rreth teje të helmohet me frikërat e tua paralizuese. Ishte një proces i mrekullueshëm dhe nuk kam ndalur së shkruari poezi prej më se një viti tani. Dalëngadalë po merr formë një vëllim poetik, një urë mbi hendekun që krijohet mes fanatzisë dhe realitetit, jetës ideale dhe jetës rutinore, asaj që ëndërrojmëdhe asaj që na ankthon. A e konsideroj veten poet? E kam patur të vështirë edhe ta konsideroja veten shkrimtar, më parë, por tani e them me plot gojë: Po, jam shkrimtar. Po, jam poet. Jam krijues. Mendoj se kushdo lind me potencialin që të krijojë dhe pse jo, të jetë artist. Më është dukur si mendjemadhësi të pohoj që jam shkrimtar ose poet. Por po, jam. Sa? Mendoj se i gjithi. Unë jetën time, pavarësisht paralajëmërimëve të të gjithëve që më duan të mirën, e kam shndërruar në art dhe letërsi. Jeta ime është ndjekje muzike, filmash, serialesh, librash, historish, ndjesish… Kaq dhe gjithçka.
Ëndrra jote?
Kam shumë ëndrra. Disa i kam realizuar, disa pres t’i realizoj, disa e di që nuk mund të realizohen kurrë. Por besoj se të gjitha ëndrrat e mia konvergojnë në një ëndërr që do të jetë pikënisja e të tjerave, atyre që kanë mbetur ende të parealizuara. Ëndrra ime më e madhe është që historitë e mia të njihen, të pëlqehen, të lexohen. Që poezitë e mia të kumbojnë dhe jehojnë në ndjenjat e të tjerëve. Që romanet e mi të pëlqehen dhe lexohen sa më shumë dhe njerëzit të mos ngopen dot me aventurat e personazheve dhe me botën që kam krijuar. Ëndrra ime më e madhe është që të njihet dhe pëlqehet arti im. Kjo do të më bëjë të lumtur. Deri atëherë, do kënaqem me pikla lumturie si kushdo tjetër.
Ç’të shtoj?
Mua, nuk më mbetet shumë për të shtuar, përveç se të uroj që të vazhdojë me sukses në rritjen e tij personale dhe profesionale. Përfaqëson një fetë të mirë të rinjsh që lexojnë, shkruajnë dhe kanë aftësi të mrekullueshme të cilat mezi presim ti shijojmë. Secili ka vendin e vet, ashtu sikur planetet nuk përplasen (zakonisht) edhe ata që krijojnë dëshirojnë të koekzistojnë në harmoni të plotë.
Vijojnë disa poezi të Antonios
Parku
Sa e sa herë i bie rrugës së vjetër që të çon te parku
Pemët janë jeshile dhe rozë
Mermer dhe gur në piedestal
Nga ana tjetër një kishë dhe një klub
Njëra anë më sjell te kujtimet
Ana tjetër shkon nga parku
Ec rrugës së kujtimeve
Por kujtimet nuk kthehen në jetë
Duhet ta di mirë në këtë pikë
Që s’ia vlen t’u bësh elektroshok
Sepse përfundon më keq për ty
Dhe mbetesh si përherë pa kujtime
Edhe me kripë trishtimi që të djeg faqet
Kaloj nga ana e parkut
Ku pemët mund të më mbysin—
Mos qesh! E di që mund të ndodhë!
Çdo gjë është e mundur në një botë
Ku nuk je më ti që ishe
Dhe kujtimet janë gjëra abstrakte
Të gjërave që ishin të vërteta
E ti prapë nuk di si t’i quash
A si mund t’i kesh jetuar në të vërtetë
Kur fare qartë janë gjëra që rrinë në kokë
Dhe nuk dalin dot të të marrin dorën
Të të ftojnë brenda tyre edhe një herë.
Kështu që rruga tjetër mbetet kthimi në shtëpi
Se të paktën muret s’kanë ndryshuar
Edhe pse esencat ndërrojnë vazhdimisht
Po është më lehtë dhe më bukur të arratisesh
Aty ku e di që mund të kthehesh e të mos nisesh.
Ose, mundësia tjetër është që të vazhdosh të ecësh
Me kujtime në kokë dhe sytë në të tashmen e pashkuar…
Po kush ia ka ngenë? Po hajde, thjesht jetojmë
Dhe këtë do ta kujtojmë.
dëgjoje këtu
Mështeknë
Një shteg mëmë u mbyll
Në qiell aron një yll
Ledhë për gjethet një fyell
Mështeknë në pyll.
Mbështetmë në nënkresë
Mbyllja dritaret rrufesë
Barit të lagur të ëmbëlsisë
Dhe mështeknës në ujesë.
Zjarri i rrufesë e pastroi
Uji i shtrëngatës e pagëzoi
Jashtë kasolles nën qiell gri
Mështekna për ne jetoi.
lexo edhe Frymëzime: Ingrid Pulizo