You are currently viewing Fabrika e shpirtit

Fabrika e shpirtit

Emocionët dhe ndjenjat

Ne i ngatërrojmë këto të dyja, ndonëse njëra pa tjetrën nuk bëjnë dot. Emocionet janë ndjesitë e menjëhershme, të shkaktuara nga e jashtmja, prej një ngacmim mendor apo fizik. Ndjenjat, qëndrojnë me njeriun pak më gjatë, dhe shkaktohen në bazë të një përpunimit të emocioneve. Thënë kjo…

Më pëlqen të mendoj se njeriu është një fabrikë e vogël ndjesish, emocionesh dhe idesh dhe ndjenjash. Kemi një magazinë ku gjithçka përplaset dhe rrëmujshëm çdo ditë ngec aty. Ne kemi për detyrë t’u vëmë një emër secilës dhe ta magazinojmë, detyrë jashtëzakonisht e vështirë. Pasi nuk na mësohet shpejt t’i emërtojmë ndjenjat apo emocionet tona. Madje, na shtyjnë ti vëmë emra tjetër për tjetër, dhe kur janë “të papëlqyeshme” duhen shmangur. Në fabrikën e shpirtit, të cilën jemi pronarët dhe punëtorët, duhet t’i kryejmë mirë rolet tona.

Si pronarë duhet të pranojmë çdo gjë na vjen, nuk i bëjmë dot naze punës dhe projektit përfundimtar. Se ç’shoh prirjen për të shmangur dhembjen, e cila është më shumë një fshehje e saj. Fytyra tepër të lumtura shpesh janë një aktrim i bukur i cili shpërthen në humbje të vetes. Ndoshta duhet të kujdesemi për çdo gjë na vjen në jetë rastësisht. Jo çdo gjë ka një emër, prandaj duhet vendosur dhe një kuti të bollshme “për artikujt e ndryshme”. Si pronar, mos anashkalo vullnetin tënd, fuqinë tënde që ke për ti dhënë përparësinë e duhur secilës.

Si punëtorë të kësaj fabrike, e din se disa prej tyre duhen transformuar për të jetuar. Merret emocioni pritet, punohet me çekan, copëtohet? Nuk është kështu që funksionon shpirti. Në botën abstrakte, pak janë gjërat që duan forcë, shpesh është ëmbëlsia që e përpunon atë. Merre një dhembje, një emocion të fortë të cilin e quajnë negativë dhe vendosi një emër, një emër të bukur. Sepse edhe kjo pjesë është e jotja dhe po krijon udhën tënde si njeri. Pasi e kemi emërtuar bukur, i japim leje të qëndrojë me ne, të lundrojë pak sa i lirë pa e kundërshtuar. Sa më shumë luftojmë aq më shumë do të ashpërsohet dhe do të qëndrojë i zemëruar me ne. Çdo dhembje, emocion, dëshirë, ankth, gëzim e shumëçka, janë pjesë të vetës.

round wool photo
Photo by Kaique Rocha on Pexels.com

Transforimimi

Transformimi do të zhvillohet në këtë fabrikë abstrakte të vetes, ku të gjitha kalojnë nëpërmjet një site. Sitë ku nxirren materialet më të vyera të vetës. Ne mund të konkretizojmë veten nëpërmjet këtij kalimi. Do të ndaj me ju diçka. Para disa vjetësh vuaja jashtëzakonisht nga një migrenë akute. Dhembjet ishin aq të forta sa nuk arrija të funksionoja normalisht. Ia ndryshova emrin ia vura Migena, e bëra shoqe. Mendoja për të si një shoqëruese besnike. Në fakt, pikërisht kur të gjithë ishin larguar nga unë ajo më kishte mbetur pranë. Ajo vinte rregullisht çdo javë, qëndronte me mua tre ditë, bënte një ditë pushim dhe vinte përsëri. Mig(r)ena ishte një mikeshë që donte të më fliste. Fillova ta pranoja, ta dëgjoja, e kur vinte i hapja zemrën ashtu si ajo më hapte kokën. Atëherë, sa herë ajo afrohej unë e merrja si një sinjal për tu kujdesur për veten, për të mos bërë asgjë (po sepse edhe mos të bësh asgjë është transformim) Ato momente ishin të preferuarat, ku më dilte koha të merresha me lule, të dëgjoja muzikë, dhe po dhembja po më transformonte. (Migrena vjen shumë rrallë tani, por ky është muhabet tjetër) Ishte pikërisht në atë periudhë që me në fund mora guxim të hapja Blog-un.

man standing near fire
Photo by Kateryna Babaieva on Pexels.com

Idealizimi i lumturisë

Në kulturën tonë moderne, po na shitet lumturia si send pazari ose si plaçkë që fitohet me sakrifica, madje si imponim. Sikur ata të cilët jeta nuk i dha përqindjen e duhur të lumturisë nuk vlejnë dhe aq, sikur atyre që u bie fatkeqësia janë më pak të denjë, sikur ata nuk kanë punuar mjaftueshëm, apo nuk kanë qenë mjaft pozitivë për të tërhequr të mirën. Ne jemi përgjegjës vetëm për çka prodhojmë në fabrikën tonë të shpirtit, mendon jeta, shorti dhe rastësia të na japë lëndën e parë, shpesh herë të pakthyeshme. Ndihem të them mbase duhet rishikuar pak koncepti i lumturisë… unë e para.

Shpirti, mishi

Abstrakte dhe konkrete, mishi dhe shpirti, mendja dhe trupi, idetë dhe nevojat, ndjenjat dhe ndjesitë fizike. Kam dashur të mendoj se ana shpirtërore ka më shumë rëndësi. Por, në rishikim të disa vlerave dhe njohurish po kuptoj çdo ditë se ne jemi qenie bukurisht fizike. Ne nuk duhet ta ndajmë veten kurrsesi nga trupi. Mirëqenia jonë shpirtërore varet përulësisht nga shumë faktorë fizikë, nga elementet kimikë, nga lëvizjet e universit, nga motet dhe ligje akoma në zbulim. Në injorancën e plotë të tyre, kuptoj se njerëzit që ushqejnë vetëm anën shpirtërore humbasin nga jeta po aq sa ata që i zhyten një përjetimi krejtësisht materialist. Pyetjes se cila ka më shumë rëndësi, sot kam një përgjigje që para disa vitesh nuk do të pranoja që të dyja kanë shumë rëndësi. Një trup pa një shpirt të ushqyer bukur i ngjan një kallëpi lëvizës, por pa materializimin e ideve, koncepteve, kënaqësive, dëshirave… ç’kuptim do kishte një shpirt të bukur?

Për ty

Për ty që më lexon. Mos i merr si të mirëqena, këto janë pjesë të rrugëtimit tim. Mendime shumë personale që marr guximin të ndaj pa ndonjë dëshirë për të të bindur. Sigurisht, për të ngacmuar ndonjë sipërfaqe të mbuluar. Të falënderoj që më lexon! Të uroj mbarë në “fabrikën” tënde!

Ky shkrim është frymëzuar nga pyetësori në faqen time Instagram

Lexo edhe Prano si toka

Banner

Leave a Reply