Dëshira për të gëzuar në raste të tilla besoj se është e zakonshme. Autorët e mirë, të afirmuar, kanë dhe meritojnë çdo vëmendje dhe promovimi i tyre është zakonisht formal dhe i organizuar mirë. Unë as nuk mendoja diçka formale, por kisha dëshirat e mia. Kisha piketuar ca lokale në Tiranën tonë, ose ndonjë Librari të lezetshme. Kisha menduar një tavolinë me libra, një instrument muzikor akustik në sfond, ndoshta leximi i disa pjesëve ndërsa shërbehej pak verë, së bashku me shumë pak veta, miqtë e poezisë, apo disa që më ndjekin prej kohësh tek faqja Hajdeseflasim. Mbase do të kisha mbetur vetëm pas një tavoline me të gjitha librat e mi aty, dhe asnjë nuk do të kishte ardhur! Kjo ishte ndër planet e mia modeste për këtë libër. Por me sa duket Covid-19 kishte plane të tjera për të gjithë. U mbyllëm, u kyçem nëpër shtëpi. Një takim i tillë do të ishte i papërshtatshëm dhe “i rrezikshëm”. Kështu mbeta vërtetë vetëm pas tavolinës me të gjitha librat e mi. Ndoshta do të kisha bërë disa foto, do të kisha marrë lule, dhe miqtë e mi që në të vërtetë nuk duan t’ia dinë për shkrime do të ishin ndier të detyruar të blinin librin. Ndërsa, në fakt librin po e blejnë ata që e duan vërtetë, ata që ndoshta më duan pak dhe mua. Ata që prej vitesh apo nga pak kohë më ndjekin dhe çmojnë botën time të vogël krijimtarie.
Nuk e di nëse do të ketë një rast tjetër, gjithsesi mësova se rëndësi ka të bëjmë atë që ndjejmë. “E mira nuk ka fund” dhe po të presim të gjitha kushtet për të bërë diçka ka shumë mundësi të mos bëjmë kurrë asgjë. Botimi ” në kohën e virusit” kështu do ta mbaj mend, po promovohet natyrshëm në mënyrë virtuale, fundja ky format për mua është i rehatshëm, dhe prezantimin do ta bëj herë pas here online, kështu do të zgjatet dhe kjo kënaqësi!
Më pëlqen të zbuloj mënyra të reja për të bërë gjerat, sidomos kur nuk janë aspak të lehta!
Nëse do të dish më shumë rreth librit shtyp këtu!
Foto nga Librari Hugo Durrës