You are currently viewing Etika në rrjet – Ndonjë këshillë

Etika në rrjet – Ndonjë këshillë

Rrjeti social ka vite që është bërë një mjet i fuqishëm. Biznese, artistë, njerëz publik e përdorin me mjeshtëri dhe kanë shumë sukses. Disa mendojnë se të hapësh thjesht një profil Instagram është çelësi i suksesit të siguruar. Nuk është ashtu.

Hape mendjen

Është shumë e nevojshme të pranojmë faktin se prania virtuale është bërë domosdoshmëri. Nëse mendon se qasja në rrjet nuk bën për ty, duhet të konsiderosh të ndryshosh pak mendim. Në radhë të parë le të sqarojmë faktin se përdorimi i rëndomtë që bëhet i rrjeteve sociale ka errësuar pak sa fuqinë e tyre. Nuk ka lidhje çfarë por si e përdor.

Partneri i duhur

Qasja në rrjet nuk është baza e qëllimit tënd por një mbështetës i mirë. Nëse nuk ke pasur sukses deri tani ndoshta nuk ke gjetur “partnerin” e duhur. Për shembull, nëse po kërkon punë si përkthyes dhe hap Facebook mbase nuk je në vendin e duhur. Facebook të lidh në bazë të miqësive e jo në bazë të interesave. Prandaj, mund të kesh mijëra miq e familjar por që asnjërit nuk i duhet një përkthyes. Në radhë të parë rëndësi ka të gjesh platformën e duhur për qëllimin dhe personalitetin tënd. Fokusohu në një ose dy prej tyre.

Nëse ke një CV të plotë dhe të mirë LinkedIn është i duhuri. Nëse shkruan ndoshta të pëlqen të provosh Wattpad. Mund të ketë qindra platforma, duhen provuar, zgjidh atë që më shumë ndihesh rehat. Çelësi nuk është të kesh sa më shumë por të përdorësh mirë ato që zgjedh. Në çdo rast vlen organizimi vizual të informacioneve, rregullsi përditësimi, “puna”.

Puna

Po, puna. Sepse asgjë nuk fitohet pa bërë asnjë gjë. Nëse për shembull dëshiron të jesh përkthyes, ke një cv të bukur, një faqe në rrjet të përsosur, po realisht nuk di ta kryesh punën shumë shpejt do të zbulohet. Vërtetë imazhi është gjithçka në kohën tonë, por lumturisht ka disa gjëra që nuk mjafton një Selfie për ti arrirë.

Konsideroje punë kohën që kalon në rrjet, nëse shet një produkt, nëse ke një dyqan apo lokal. Qasja e duhur mund të tërheq njerëzit e duhur, lëvizjet e tjera marketing, bashkëpunime të frytshme.

Mos u çmend

Përdor filtrin e duhur, vër këto tags, hiqi të tjerat, bëj reels… Atëherë, qartësisht sidomos Instagram ka vendosur të luaj me rregulla të veta. Ndryshon shumë shpesh favorizimin e disa veprimeve. Duhen shfrytëzuar të gjitha mundësitë vërtet, provo gjithmonë gjëra të reja por mos harro se është puna jote më e rëndësishme se sa një apo dy marifete rrjeti. Mos e humb origjinalitetin!

Zbavitu

Mos e merr tepër seriozisht. Është një postim. Jep më të mirën por mos ji perfeksionist, nesër do të bësh më mirë. Në thelb duhet të jetë një kënaqësi. Të tjerët e kuptojnë energjinë pas dhe tërhiqen nga ajo cilët jemi vërtet. Mjerisht disa kanë mentalitetin se njerëzit që punojnë seriozisht janë të gjithnjë serioz. Një buzëqeshje, humor të mirë në çka bëjmë, është në vete sukses. Në fund të fundit ne duam të kalojmë mirë me atë që bëjmë. Ka disa faqe që japin këshilla praktike se si të përdorësh platformat e ndryshme. Gjithsesi, mbaj parasysh se është bukur të gjesh mënyrën tënde. Nëse ke një biznes të madh dhe nuk ke kohë as dëshirë, merr në konsiderate të punësosh dikë si menaxher të rrjeteve sociale.

Ndonjë mendim?

Cilat janë gjërat që kanë shumë rëndësi në platforma të ndryshme? Me pak ndryshim midis njëra tjetrës në varësi të qëllimit këto janë kryesore:

  • Një prezantim i mirë. (Bio)
  • Përmbajtje cilësore
  • Foto, imazhe cilësore
  • Përdorimi i Hashtags-ave
  • Rregullsi
  • Elasticitet

Elasticiteti duhet për t’u përshtatur shpejt, për shembull të mësojmë të bëjmë reels në Instagram. Por kjo mund të ndryshojë shumë shpejt, diçka tjetër do të dal. Prandaj vazhdo bëj atë që ndjen, të pëlqen dhe mbi të gjitha mos harro pse je në rrjet, mos harro kush je!

Lexo edhe Ndiq atë që do

Leave a Reply