Këtë, që po e shkruaj, po e bëj me shumë për vetë e jo t’u jap mend të tjerëve. Megjithatë, jam e sigurt se ka mijëra njerëz që kanë të njëjtat ndjesi për këtë. Ashtu sikur shkruhet ajo letër në shishe dhe hidhet në det, pa pretendim, ashtu po bëj dhe unë me këtë shkrim.
Të jesh i ndjeshëm dhe të shfaqesh i tillë shkakton një seri reagimesh të jashtme jo gjithmonë të këndshme. Ndjeshmëria, për të cilën dua të flas nuk ka të bëjë as me dobësinë e karakterit, as me prirjen qaramane a për tipat që ofendohen shpejt dhe nuk durojnë asgjë në jetë. Në fakt do të duket çudi por disa e quajnë një “mbi fuqi”, por nuk ka lidhje me magjinë as me të mbinatyrshmen, por thjesht me mënyrën se si jemi.*
Fraza je “tepër e ndjeshme” më ka shoqëruar që kur kujtoj veten me vetëdije. E kam ndierë gjithmonë veten pak ndryshe dhe me reagime të ndryshme nga të tjerët. Tashmë, të jesh i ndjeshëm duket si një faj, të jesh tepër duket sikur është një katastrofë. Këtë mendoja edhe unë. Po, edhe falë gjykimit të varfër të njerëzve që të rrethojnë, të cilët në padije mund t’i ngatërrojnë gjërat. Por nuk ka faj njeri këtu, më është dashur edhe mua kohë për ta kuptuar. Prandaj nuk pranoj të përdor fjalën tepër, por “tej” ashtu sikur kanë bërë edhe në gjuhë të tjera. Pra është një plus dhe aspak e tepërt!
Sipas Elain Aron që ka studiuar rastin e këtij tipari të personalitetit, me fjalë të thjeshta e trajton si sensibilitet të lartë të sistemit nervor qendror. Kjo do të thotë se këta njerëz kanë perceptim më të thellë kundrejt stimujve edhe më të fshehta emotive, shoqërore dhe fizike.
Thellësia
Të “tejndjeshmit” kanë prirjen për të qenë më të thellë në mendim dhe ndjenja. Zotërojnë aftësi vëzhguese, do të shtoja nganjëherë të pavetëdijshme. Janë të prirur për t’i përpunuar informacionet dhe elementet me shumë kujdes. I shkojnë thellë koncepteve duke reflektuar. Thellohen, mendohen, thithin njohuri. Këto, i lidhin natyrshëm me përvojat e së kaluarës. Rezulton të ndikojë në mendim si pozitivisht ashtu edhe negativisht.
Tejstimulim
Marrin stimuj të jashtëzakonshëm, duke u kushtuar vëmendje detajeve qofshin këto nga bota e brendshme apo faktorë të jashtëm. Perceptimi i tyre është i jashtëzakonshëm, i vetëdijshëm ose jo. Pasoja, është lodhja, sfilitja. Lodhen sepse përpunimi sensorial është më i lartë.
Empati
Sigurisht janë njerëz empatik. Këtu ndikon aktiviteti i neuroneve pasqyrë. Empatia shfaqet si keqardhje, dëshirë për të ndihmuar, mbështetje emocionale, duke u kujdesur për të tjerët, por jo vetëm kaq. Mund të ndiejnë gjendjen duke pasqyruar të njëjtën ndjesi tek vetja. Akoma, mund të perceptojë situata, ndjesi përreth që nuk janë shfaqur ende qartësisht.
Detaje
Detaje që ekzistojnë por që asnjë nuk i vë re u bien në sy të “tejndjeshmëve”. Kjo ndikon tek përpunimi i informacioneve dhe reagimi, i cili mund të jetë inteligjent dhe i përshtatshëm më situatën, personin, gjendjen. Faktorët si drita, zhurma, ngjyrat e forta, aktiviteti, ndikojnë më shumë se tek njerëzit të tjerë.
Nëse të kanë thënë gjithë jetën se: Je tepër i ndjeshëm, je i dobët, delikat apo i merr gjërat shumë seriozisht, mbase ka ardhur koha të thuash ndal e të mos lejosh të ta prezantojnë veten ashtu. Njihu mirë me veten dhe prezantohu vetë! Të jesh i “tejndjeshëm” nuk është sëmundje, as nuk është problem. Është një tipar i veçantë dhe i jashtëzakonshëm që me pak dashuri për veten mund të mësosh ta menaxhosh.
Pranimi
Kam bërë shumë kërkime dhe kam arritur në përfundimin e bukur se jam e “tejndjeshme” dhe jam e kënaqur. Po, sepse nga të qenët të tillë vijnë shumë të mira. Nëse nuk u pëlqej të gjithëve!? E pranoj edhe këtë dhe është shumë mirë. Pranoj se ndjej shumë. Pranoj se kap gjëra nuk do të doja të kapja, ndiej reagime që nuk do të doja t’vija re. Pranoj se përpunimi i tyre është shpesh i pa vetëdijshëm dhe i lodhshëm. Pranoj se lodhem shumë kur jam me njerëz. Pranoj se ndiej gjithë gëzimin apo dhembjen e një bote të tërë, dhe kjo është mrekulli.
Menaxhimi
Menaxhimi po ashtu vjen me informimin e saktë. Është një proces i cili zgjat sa jeta. Leximet e mia për këtë nuk kanë mbaruar ende, as nuk dua të mbarojnë. Më pëlqen të shoh se tani vetëdija më jep qetësi. E mirëkuptoj veten kur dua të qëndroj vetëm, kur dua vetëm të dëgjoj muzikë apo të merrem me art. Ato janë burimet e mia ku marr energji dhe forcë. “Tejndjeshmërinë” e dua, e vë në zbatim sepse ajo më sugjeron jashtëzakonisht mirë çfarë është mirë për mua dhe jo. Kur nuk e kam dëgjuar ka qenë veç në dëmin tim.
Nëse ndien trysni kur ke shumë njerëz përreth, imazhet e forta të shqetësojnë, zëri i lajmeve të shkakton ankth, turmat të japin siklet, nëse nuk je rehat me njerëz jo autentik, nëse ndien dhembjen e tjetrit sikur të jetë e jotja, nëse ke nevojë herë pas here të izolohesh, nëse kap ndjesi që të tjerët nuk kapin, ke inutitë të fortë, ndikohesh jashtëzakonisht nga muzika apo atmosferat që krijohen, sheh apo ndien detaje që të tjerët nuk vënë re, je shumë mirë. Thjesht të ftoj të informohesh.
Vlerat që ke nuk ndryshojnë nëse të tjerët nuk i pranojnë apo nuk i kuptojnë. Fakti se mund të jesh i tejndjeshëm nuk të bën të papjekur as fëminor. Ti je në gjendje të mbash pesha marramendëse në shpirt që shumica as nuk di se ekzistojnë. Ti, mashkull a femër, je njeri me mijëra ngjyra që përplasen dhe reflektohen tek të tjerët, me ty njerëzit e sinqertë ndihen rehat. Fëmijët, kafshët, njerëzit e lënduar afrohen sepse i krijon një hapësirë prehje të posaçme dhe të menjëhershme. Shijoje këtë sepse kjo varet vetëm nga ty. Është veti që nuk mund të ta heqë njeri, as ta kopjojë, as ta dëmtojë. Ti je sensor i gjallë në lëvizje i asaj që po ndodh tani në univers.
* këto informacione janë thjesht ndarje mendimesh të bazuara në përvoja personale ose lexime. Nuk ka lidhje më këshillim psikologjik. Nëse mendoni se keni nevojë për këshilla të tilla ju ftoj të kontaktoni një specialist.
Referenca kliko në titull:
Empaths: what does it mean
Lexo edhe Përmbindësh
Pingback: Shkëputja, çfarë është dhe pse ndihmon?| hajdeseflasim
Pingback: Pranim | hajdeseflasim
👏👏👏👏 Bravoo! Me pelqeu shume dhe te pergezoj per menyren si e ke trajtuar!
🌟