You are currently viewing Përbindësh

Përbindësh

Një fëmijë topolak, vjen vërdallë në lulishte. I qeshur kërkon të përqafojë të gjithë fëmijët me radhë. Ia bën me dorë të gjithëve, dërgon puthje dhe dhuron lodrat e veta me qejf të madh. Sa fëmijë i mbarë!

Brenda tij po fshihet po ashtu një krijesë e brendshme, e vogël, mbase topolake po ashtu, e cila rritet nga çdo gjest mirësie. Kalojnë vitet, e ndërsa gjithçka normalisht nuk shkon ashtu siç duhet, duke u rritur fëmija mendon se lumturia e të tjerëve varet nga buzëqeshjet e tij, nga çdo veprim të tij, nga dashuria e tij.

Krijon një vend të bukur mirëpritje për të tjerët në zemrën e tij. Aty shumica ndihet rehat, të kalojë kohë, të flasë, të qeshë, të hedh e të presë batuta. Aty gjejnë prehje miqtë, të njohurit, të panjohurit. Sa më shumë jep duket sikur të gjithë janë më të lumtur.

Ajo krijesa e lezetshme e brendshme, është rritur, ka filluar të ketë pretendime. Ajo pretendon të bësh të lumtur sa më shumë njerëz. Ajo i kujton se njerëzit kanë nevojë për të, se duhet të ndihmojë, të bëjë të lumtur të tjerët, të gjithë. Atëherë, u dashka filluar të angazhohet që të kënaqet edhe ky përfaqësim i frikshëm i ndërdijes.

Altruizmi fillestar kaq i pastër dhe i bukur, është rritur dhe ka marr pamje të frikshme. Sa herë kujton të bësh diçka për vete, është gjithmonë dikush, diçka më e rëndësishme. Çekan në kokë i bëhet sa të heqim dorë, në emër të mirësisë. Njeriu altruist, tashmë i rritur, është i sigurt se Altruizmi ka të drejtë, gjithmonë, dhe vazhdon me doemos të bëjë të mirën.

Sa më shumë lodhet të bëj atë që mendon se duhet, aq më tëper përbindëshi rritet. Sundon çdo vendim. Sundon çdo mendim. Sundon çdo veprim. Fjala jo bëhet po-ja aq e madhe sa nga goja del pa dashje.

Fjala jo zvogëlohet, bëhet e imët, e pazë. Fjala po zë gojën dhe del nga goja e kuptuar. Del pa e ditur, përbindëshi e shtyn se do të kënaqë të gjithë dhe nuk bën llogaritë siç duhet. Të gjithë e duan altruistin për një farë kohe, i qëndrojnë pranë, kënaqen se përshtatet, fal kohë, flet me të gjithë.

Përbindëshi është shëmtuar. Ka zaptuar vendin, është zot shtëpie ku nuk i takon. Urdhëron, kritikon, e bën të ndihet në faj sa herë njeriu, vë veten si përparësi. Ushqehet me ndjesinë e të bërit mirë, kot, të gjithëve. Ushqehet me ndonjë falënderim të varfër andej-këtej.

Për derisa të tjerët nuk të janë mirënjohës, nuk ke bërë mjaftueshëm. – i thotë njeriut që po kërruset dita-ditës, që po mban pesha që nuk janë të tija, që lufton për beteja që nuk njeh, që po ndihmon ata që nuk duan, që po përpiqet të bëj të lumtur njerëz që kanë vendosur të mos të jenë, ose thjeshtë që nuk mund të jenë në përparësi të tij.

I sfilitur, vendos të lër pa ushqim përbindëshin. Fillon të thotë jo, fillon të mos të ndihmojë çdo njeri, fillon të vendos kufij për vete, të kuptojë se nuk varet lumturia e të tjerëve prej tij. Përbindëshi përpëlitet herë pas here se nuk do ta pranojë. Bashkë me të bëhen dhe njerëzit që ishin mësuar të merrni vetëm po, të merrnin energjinë, të merrnin kohën, të merrnin… çfarë gjenin.

Ngadalë, me hapa të vogla altruizmi ri-shndërrohet në krijesë fëminore, me fytyrë fëmije, të pastër, ashtu siç qe nisur.

Altruizmi bëhet lehtë preh e egoistëve, në mos të kthen ty në një pa e kuptuar – Hajdeseflasim

Artikuj të ngjashëm këtu

Je i mirëpritur të regjistrohesh tek www.hajdeseflasim.com

Leave a Reply