You are currently viewing Gërmë pas gërme

Gërmë pas gërme

Jam rritur duke shkruar mendimet e mia, duke i mbajtur në sirtar, por edhe duke i bërë publike. Jam rritur. Jam përplasur me modestinë time, me frikën e kritikave, me pranimin se nuk i pëlqejmë dot të gjithëve, me rrezikun se dikush do të keqkuptojë dhe me pranimin e habitshëm se po, disa pëlqejnë çfarë shkruaj dhe shijojnë çfarë bëj. Shkrimi ka qenë një lloj obsesioni i ëmbël, i kushtëzuar nga vetmia. Një lloj vetmie të çuditshme, të lindur, të pashërueshme. Për shumë kohë, kusht mbijetese, pasi turmat rreth meje nuk më mjaftonin për të mbushur hapësirat e mendjes, zemrën aq më pak. Më duhej të sulesha drejt letres, këshilltare e djegshme, dëgjuese e grisshme. Aty, ndërsa zbrazja veten, gjeja veten të mbushur.

Në përpjekjet e mia naive për të ndarë çfarë shkruaja, gjeta jo shumë gatishmëri. Jo, nuk prisja të çudisja prej talentit, por sadopak dhembshuri. Në vend të kësaj, indiferenca, shkujdesja, tallja u bënë mësueset e heshtura. Ndërsa gëzoja jetën rinore sikur të gjithë, shpirti im zmadhohej drejt vetmisë. Kjo nuk qe aspak fatkeqësi. Ishte thirrje ujikone, e cila më çonte drejt origjinës sime. Një tjetër dimension jetese, kohe, yjore.

Shkëputjet e çmendura të mendjes përbëjnë shkëndijë përtej normave, zakonit, llogarive, logjikës. Tanimë shkruaj si lum, që nuk përpiqet. Si ulërima e ujkonës që i kthehet egërsisë. Si prurjet detare që derdhen dhunshëm. E gjithë kjo nuk është letërsi. Është shpirtësi. Aty ku nuk munda të formuloj fjalë me zë, apo t’i dëgjoj, më është dashur të loz me gërma, ngahera gabim të tjera herë të marra hua… kështu u rrita.

Tani, pa pretendime, përqafoj çdo ditë rrjedhën e të qenit unë, pa marr leje e pa kërkuar pëlqim. Gërmë pas gërme drejt vetes përfundimtare.