Shkodra është e mirë. Ato biçikletat, gratë e mbajtura, burrat zotni kafeneve, ajo shija pak borgjeze italiane, gegnishtja e cila çon buzët në formë të puthure. Po, më pëlqen! Për të mos folur për ledhat që të bëjnë; yll, shpirt, ta marrsha, një lloj ngasje e ëmbël pa të keq. Shqiptarët të tjerë thonë: është mashtrim. Po mbase, tregtarët e bëjnë për të të tërhequr vëmendjen dhe të blesh. Sinqerisht, shumica mashtron nga pak. Njerëzit mashtrojnë gjithsesi, është më mirë të më lëdhatojnë dhe le të më mashtrojnë se sa të më mashtrojnë duke më sharë. Vizitat e mia në Shkodër më kanë kënaqur për herë. Atmosfera e dashur dhe e relaksuar më bën për vete. Përveç bukurive natyrore dhe historike të këtij qyteti, kisha kohë që prisja të vizitoja Muzeun Marubi . Mbase disa thonë, veç sa foto të vjetra… për mua është më shumë se kaq.
Pietro Marubbi, i shtegtuar në Shqipëri për arsye mbase politike, por të paqarta, lë pas një histori mbresëlënëse fotografike. Besoj se është fat që ai ishte i huaj, pasi një i ardhur sheh detaje që vendasit mund t’i shpëtojnë ose mund t’i duken krejt të zakonshme. Fotot të bëra prej tij, kanë poezi, të paktën për mua. Sa mirë që pasardhësit e tij, jo fëmijët se nuk pati, por trashëgimtaret e mjeshtërisë fotografike, vazhduan po njësoj. (Shiko më shumë tek Linku KËTU) Nuk po postoj fotot që bëra, pasi dua që të shkoni vetë, apo të paktën të vizitoni muzeun dixhital!
Më shijoi historia e tyre personale, veç kësaj, të gjitha hollësirat që tregohen në fotografi, shkrepje pas shkrepje është historia jo vetëm e Shkodres por e Shqipërisë. Stoli, familje, raste politike, aktorë, figura të rëndësishme kombëtare, miq dhe armiq.
Një ditë në Shkodër, një shëtitje përmes qendrës, një kafe tek pedonalja, një vizitë tek Muzeu mund të të japë një version të Shqipërisë të panjohur.
Mos harroni sa herë udhëtoni merrni sy të rinj, pa to nuk do të shihni dot asgjë.
Noa Nur
Shtëpia ime është kudo, nuk zgjidhkam dot ku të zë rrënjë. Dashurohem me vendin e fundit që vizitoj, ia dua njerëzit, ia kërkoj të mirën. Nuk ka rëndësi sa larg udhëton, sa shpenzon, sa gjëra blen, rëndësi ka nëse ke ndryshuar veten sadopak.
Aty ku shkon, shko me të gjithë zemrën. – Konfuci
Lexo edhe Shtëpitë e mia – Dubrovnik
Nëse të pëlqen poezitë e mia shiko edhe Kurrë Gri