You are currently viewing Hajdeseflasim për Panairin 2023

Hajdeseflasim për Panairin 2023

Parajsa dhe ferri

Shkrimtari dhe lexuesi, duhet të ketë një pikë takimi, panairi e krijon këtë. Kësaj radhe, jam infiltruar nën petkun e një pseudo-autore në këtë bote shpirtrash të hedhura në letër. Parajsa, në katin e parë shkëlqimi i Shtëpive Botuese rrezatonte (me të drejtë) “shenjtorët” e saj. Sikur në ditë të shënuara njerëzit, u falën dhe u turrën “fetarisht” në nderim autorësh të mbivendosur në piedestalet njerëzore ndoshta prej bëmat apo zh-bëmat e veta. Aty, kultet më të errëta njerëzore ngriheshin çuditshëm, kaq larg por dhe shumë afër letërsisë dhe artit.

Po në atë vend shkëlqenin qenie engjëllore, shkrimtarët tashmë të vdekur të cilën lavdi nuk iu shfaq në jetë dhe, tani me në fund, blerja e librit të tyre është ritual shfajësues për intelektualin e mesëm. Në këtë “Komedi hyjnore” rrathët renditën mbrapsht, dhe unë isha në ferr. Ishte ferri që më shkonte më shumë, pasi që prej atij ferri kam kohë që shkruaj.

Në kat’ të dytë, në stenda më pak të shndritshme, vërtiteshin autorët e vegjël dhe blerës librash tashmë të lodhur nga shkëlqimi i parajsës së poshtme, njerëz në kërkim të atij libri të vetëm që nuk do të gjejnë kurrë. Unë, që t’i qëndroja besnike komedisë, u bëra purgatori. Kalimi dhe rruga midis një rreth dhe tjetri, që shumë larg nuk janë. Mora përsipër të krijoj rrethin tim, të mrekullueshëm, e vetme dhe e pavarur. Një pikë takimi midis të rrënuar dhe engjëj në ngritje.

Dhelpra dhe rrushi

Besoj se kemi nevojë për të qenë të pjekur me pritshmërinë e një Panairi të tillë. Nëse presim shumë, nuk marrim asgjë. Gjithashtu, nuk dua të përfaqësoj dhelprën që nuk kapi dot rrushin dhe ankohet se është i pa pjekur. Edhe se pse, pak rrush po hamë të gjithë, veç se nuk qëllon i ëmbël për të gjithë. Mendoj se Panairi apo pazarin si e konsiderojnë disa, është gjithsesi i domosdoshëm për të krijuar kontakte, për të marrë përvojë, për të ndarë, për të dhënë… Por dhelprat, nuk e kanë zakon këtë. Si e shijova unë këtë ngjarje?

Mirënjohëse

Jam shumë mirënjohëse që pata mundësinë të bashkëngjitesha kësaj here Shtëpisë Botuese 2M. Për projektin e librit tim, BojËndërr, ka qënë një qasje njerëzore e jashtëzakonshme dhe pak më zyrtare se ç’jam mësuar unë. Zhvillimi i një projekti, apo vepre duhet nderuar dhe këtë e bëra me përkushtim. Kam pasur mundësinë të takoj autorë të tjerë, përfaqësues librarish dhe botues të ndryshëm. Më shumë se sa të shes librin, jam munduar të kënaqem me atmosferën herë frymëzuese herë groteske, herë plot dinjitet herë qesharake, prej të gjitha ndjesive mësova tej mase gjithsesi.

BojËndërr, pati rrugën e vet shtruar me respektin e dashamirësve që ndjekin blogun. Dëshira ime e vetme ishte të mos e zhgënjej lexuesin. Njerëzit që erdhën posaçërisht të më takonin, blenë librin, biseduam, gjitçka mora ishte për mua privilegj i madh, panairi ma ofroi këtë!

Dy fjalë për shtëpitë botuese

Vështrimi im është mbi të gjitha si konsumatore, pra lexuese dhe blerëse e librit. Ndoshta nuk do ta marrë kush parasysh mendimin tim, fundja kush jam, vetëm një “blogere”. Megjithatë, do të ftoja që shtëpitë botuese me emër të kishin më pak paragjykime ndaj shkruesve jo-tradicional. Djem dhe vajza që ndoshta qasen vetëm në botën virtuale kanë talent dhe shpirt të bukur. Investimi tek këta, do të sillte pak “ajër të freskët” në poezi apo letërsi.

Duhet patjetër një përfaqësim i denjë për secilin realitet. Disa prej tyre në mënyrë të natyrshme, pa fryrje mediatike, besoj se kanë brum letrar, edhe nëse nuk vijnë nga një rrugëtim profesionist. Kjo pa lënë pas dore letërsinë sipas kanunit klasik, të cilën e respektoj pa diskutim! Pra, mos të krijohet antagonizëm të panevojshëm midis, por komunikim.

Shtëpive botuese më të vogla, do t’i nxisja të besojnë më shumë në atë që bëjnë. T’i japin më shumë dinjitet projekteve të tyre. Në shërbimet e tyre të ofrojnë një minimum mbështetje, një minimum redaktimi, një minimum nderimi ndaj krijimtarisë. Të hedhin një plan dhe ti përmbahen. Të jenë më të pranishëm në qasje të ndryshme duke shfrytëzuar më bukur rrjetin social dhe ndërlidhjen.

Nëse duan të rriten, të përmirësohen, duhet të përballen me konkurrencë të shëndetshme. Ndërsa mësojnë reflekset dhe studiojnë “tregun”, mund të kuptojnë se ndoshta po harxhojnë kohën me botime pa vlerë. Nëse një shtëpi botuese nuk ka dashuri në atë që bën, më mirë të merret me shitblerje të ndonjë prodhimi tjetër.

Nëse nuk ka respekt për autorin dhe lexuesin si mund të pretendojë që botimi të marrë shpërblimin e duhur? Nëse nuk beson se ka tituj të mirë, pse prezantohet në Panair? Jam e sigurt se standardët e shijes duhen rishikuar. Lexuesi po ndryshon, mbase nuk blen më libra sepse nuk gjen atë që ia do shpirti? Do të sugjeroja një ndryshim mendësie. Do të sugjeroja jo një shtim të resurseve por një shfrytëzim maksimal të tyre. Por, nëse nuk arrijnë të kuptojnë atë që po them, më mirë të rrinë siç janë, studio printimi.

Dy fjalë për autorët

Isha shumë kureshtare të vëzhgoja procesin e shkrimtarëve të njohur. Ata që vijnë pak orë duke shijuar radhën për autografe. Ata që e kanë të sigurt suksesin, jo pa meritë, sepse emri i tyre kushton sa mijëra kopje. Këta, autorët e Parajsës, priten si gjysmë-perëndi në mos të tërë, dhe bekojnë autorët e vegjël me një fotografi. Nuk merret vesh nëse ky blic i bekuar shenjtëron apo marketon të parët a të dytët. Shumë autorë emergjent blejnë librin e Filanit se i duhet një foto, në panatyrshmërinë e këtij veprimi duket qartë marifeti, do të më pëlqente të shihja më shumë njerëz me shtyllë kurrizore. Autorët e afirmuar i ndava në dy kategori, ata që shkruajnë e marrin emër dhe ata që kanë emër dhe shkruajnë.

Autori i ri, emergjent, ka një luftë të madhe me veten, dhe është i vetëm në këtë rrugëtim. Prandaj dua të shpenzoj dy fjalë dhe për ta. Dua të shpreh se nëse ke shkruar dhe botuar mund të ndihesh krenar për guximin dhe forcën që ke treguar. Të botosh një libër, para njerëzve duket e lavdishme, por në fakt është çast vetmie. Shpesh njerëzit që ke afër nuk të mbështesin, duhet të gjesh ekuilibrin midis shpërfilljes dhe dalldisjes. Dua të përgëzoj autorët që kam njohur dhe do të doja shumë të vazhdonin të luftojnë dhe të krijojnë.

Por, do t’i lusja ta nderojnë punën e tyre me më shumë kujdes. Do t’i sugjeroja miqësisht, të analizojnë mundësitë, të mësojnë qasje të reja, të mos lypin blerje, të trajtojnë librin për atë që është. Pasioni nuk mjafton, polemikat janë të tepërta. Harxhimi i energjisë duke sharë e ulur emra të famshëm dhe jo, nuk e di nëse çon gjëkundi. Nëse libri im nuk është shitur sa prisja, nuk do të thotë se “populli” nuk lexon, por nuk lexon librin tim!

Mendoj se duhet t’i dalim për zot mendimit kritik dhe të pranojmë “riskun” e pse jo, ta shfrytëzojmë për të bërë më mirë, më bukur herën tjetër, nëse do të ketë. Sepse ju siguroj, njerëzit lexojnë!

Dy fjalë për lexuesin

Ankesës se shqiptarët nuk lexojnë, nuk do të përgjigjem me statistikën e çuditshme që habiti kombin si vjet. Njerëzit që lexojnë janë gjithmonë më pak. Historikisht masa ka interesa të tjera. Megjithatë, ndër shekuj, kemi bërë pak përparim… Lexuesi i rregullt ka qenë dhe do të jetë më i rrallë. Kështu, mos e nënvlerësoni lexuesin. Lexuesi ka shijen që formësohet me kalimin e kohës, tulatet përkohshëm nën marketingun e pabesë por dhe ri-zgjohet.

E kam parë me sytë e mi, lexuesit duan të harxhojnë lekë për libra, i duan të bukur, të qepur mirë, pa gabime, të sigurt se nuk do të bëhen pishman për vlerën e shpenzuar. Prandaj janë gati të blejnë një libër “firme” që së paku do të mbahet trofe në bibliotekë.

Në përfundim

E gjithë përvoja ishte me vlerë. Dashuria që kam për projektin tim dhe shumë të tjera që janë prezantuar aty, më kanë lejuar të përqendrohem tek e mira. Të zhvilloj veten, të rritem dhe ca. Të kem dëshira të reja dhe ide të tjera. Uroj me zemër që arti dhe shkrimi me vlerë të vazhdojnë rrezatimin dhe të ndikojnë mbi qeniet e inteligjente! Përfitoj të falënderoj të gjithë për mirësinë e treguar ndaj meje si njeri dhe librit tim!

Banner

Të ftoj të regjistrohesh, kjo do të më bënte të lumtur!

This Post Has One Comment

  1. Andrea Tarka

    Bravoo! Me pëlqeu këndvështrimi, ndoshta sepse ishte nga “lartësia e Ferrit”. Me pëlqeu analiza qe përfshinte te tera hallkat qe i japin vlere librit, duke nisur nga shtëpitë botuese qe janë ne “Fronin e Perëndive” për te përfunduar tek ai qe duhet te jete me i rëndësishmi dhe qe qëndron përjetësisht ne hije (lexuesit). Ndoshta gjerat mund te ndryshonin nëse do ta kthenim përmbys këtë sistem me “Parajsën” aty poshtë ne katin e pare dhe “Ferrin” lart. Ndoshta një dite . . .

Leave a Reply