You are currently viewing Hajdeseflasim për Filozofi

Hajdeseflasim për Filozofi

Është një nga ato fjalët të vështira për ne njerëzit “e thjeshtë” që na sjell pak lëmsh. Po, se na vijnë në mendje ato “koka” njerëzish që mund të kemi prekur gjatë arsimimit, ose tek-tuk gjatë leximit. Gjithë ato fjalë, mendime, zbatime, ndërlikime të cilat na kanë trembur se tepër të thella, të çuditshme apo të vështira. Si çdo gjë që na frikëson e shmangim dhe shpesh e urrejmë. Mos vallë – them unë – gjërat janë më të thjeshta se kaq?

Thjesht dashuri

Filozofia është një nga dashuritë që ka ky univers. Nga greqishtja, dashuri për dije ose mençuri. Dashuria edhe të bën lëmsh pak, ashtu si disa mendime filozofike që ndërsa përpiqen të sqarojnë hera-herës mua të paktën më ngatërrojnë. Filozofia, përfshin rrahjen e mendimëve të ndryshme mes tyre. Gjë që ndoshta njerëzit nuk dinë të bëjnë më, sepse janë më shumë të përqendruar të kenë fjalën e fundit mbi çdo gjë se sa të gjejnë dijen, mençurinë, diturinë, kritikën, në thelb dashurinë. Nëse nuk pajtohesh me ndonjë rrymë filozofike, kjo nuk të bën kundër saj, përkundrazi. Nëse ke një mendje që funksionon, që ngre pyetje dhe heton, ka shumë mundësi të jesh një dashurues së diturisë, pra filozof.

Për të qenë filozof nuk do të thotë vetëm të kesh mendime të mprehta, të themelosh një shkollë, por të duash diturinë, aq sa të jetosh sipas saj: një jetë të thjeshtë, të pavarur, shpirtmadhe dhe me besim – Thoreau

Filozofët

Pavarësisht çdo prirje dhe shije, filozofët e shkretë, mbeten njerëz. Ata si ne, mendoj, në fund kanë bërë llogaritë me realitetin e tyre, i cili mund të ketë qenë po aq i ashpër sa yni. Kur vizitova Athinën, ku çdo dy hapa hasje buste, citime, që jehonin epokën e artë të dashurisë-së-diturisë greke, që kaq shumë ka ndikuar, ndjeva simpati. I imagjinoja duke ardhur përreth kodrave diellore greke, teksa zgjidhnin hallet tona paraprakisht. Pak më vinte dhe për të qeshur, se shumica aty, pak më poshtë po kënaqej me një souvlaki, rrymë filozofike kjo mjaft e përhapur botërisht. Nën nxehtësisë greke, që më poqi kokën si shalqi dhe mendimet në të e ndjeva edhe veten pak filozofe. Jo për shkak të përgjigjeve dhe diturisë që kam, por për pyetjet të cilat më bëjnë “njeri”.

Stil jetese

Mua ma thoshte gjyshi: “Merre jetën me filozofi!” Akoma nuk e kam kuptuar se cilën rrymë ndiqte!! Di se këto fjalë fshehin një të vërtetë të pamohueshme, se filozofia ajo e zbatueshme jo teorike është në të vërtetë një stil jetese. Këtë nuk e them unë jo. Ah, a ishin influencers këta? Besoj se po. Kanë ndikuar kaq shumë sa edhe ata që nuk kanë lexuar asgjë nga njohuritë bazë të tyre, çuditërisht i citojnë pa dashje në ndonjë status me bikini. Deshën s’deshen ndikuan, duam s’duam u ndikuam. Nëse e duam dijen, në fakt më shumë se të mësojmë nga mendimet e mendimtarëve, mund të mësojmë të mendojmë vet! Të dashurohemi me jetën, me shortin e saj, me gjithë bukurinë, me fuqinë e mendjes, me arsyen. Me gjithçka nuk na jepet, me gjithçka mund të japim.

Nëse më pyet cili është filozofi yt i preferuar, do të përgjigjem, ti!

Lexo edhe Antidota e dhembjes

This Post Has 2 Comments

  1. Dorispaintbrushes

    😉😉😉👍

  2. Marigleni

    Me pelqen shum😊

Leave a Reply