You are currently viewing Etika në rrjet – Shtimi i ndjekësve

Etika në rrjet – Shtimi i ndjekësve

Gjatë rrugëtimit me blogun edhe në Instagram, shpesh bie fjala tek teknikat e ndryshme për shtimin e ndjekësve.

Në radhë të parë, qartësoj se numri i madh i ndjekjes nuk duhet të na shqetësojë së tepërmi. Nëse fillojmë të krahasohemi me numrin që kanë arritur të tjerët thjesht po i shtojmë një hall vetes aspak të nevojshëm.

Nëse ke një biznes, një kauzë, një aktivitet që të kënaq por që do ta ndash me të tjerët, apo thjesht do të bëhesh i njohur si individ, e mira është të dish vërtetë çfarë do. Për të pasur një Instagram të suksesshëm nuk duhen followers, duhet punë si në çdo gjë tjetër. Disa përdorin teknika interesante për të tërhequr ndjekës, secili administron profilin si dëshiron dhe ka plot informacione rreth kësaj, por do të ndaj me ju disa mendime në bazë të përvojës që kam krijuar.

Aplikacionet

Ka disa aplikacione që ndihmojnë në rritjen e ndjekjes. Aktivizohen kollaj dhe shtojnë në mënyrë automatike ndjekësit. Dikush mund të thotë se një profil profesional duhet të ketë shumë ndjekës të paktën “për sy” që të duket i besueshëm. Këtë koncept refuzoj parimisht ta pranoj. Të pretendosh të dukesh i besueshëm ndërsa po përdor një rrenë kalamajsh, sikur nuk më tingëllon shumë mirë. Rezultati do të jetë që do të kemi një numër të konsiderueshëm që zbukuron profilin në krye si trofe i blerë. Shumica e atyre që ndjekin do të jenë shpesh profile nga vende të largëta ose siç quhen Fake, pra jo të vërtetë. Për vete nuk kam e parë kurrë dobinë e këtyre, pasi thelbi i një profili është të ketë njerëz që çmojnë materialin, produktin ose idenë. Disa specialistë thonë se këto aplikacione gjithsesi nuk sjellin veç se telashe, prandaj për vete nuk i kam përdorur kurrë.

Follow – Unfollow

Teknika e shumë përdorur Follow-Unfollow nuk është veçse një humbje kohe, të bllokon Instagramin për disa ditë, dhe për biznes tre ditë janë të rëndësishëm. Kështu do të krijojmë veç rrëmujë. Do të ndjekim profile radhë të cilat nuk na interesojnë dhe nuk u interesojmë. Do të vij momenti që do të bëjmë Unfollow dhe – eheheh – disa do ta kuptojnë dhe do të jetë në dëm të profilit, pra të punës!

Të bësh Unfollow është e drejta e gjithkujt dhe kjo mund të jetë për dobinë tonë. Në fillim duke mos ditur si ta përdorja Instagramin kisha bërë shumë follow individëve dhe gjërave të lezetshme trendi që gjeja vërdallë. M’u desh një kohë e gjatë për të kuptuar se ato ndikojnë tek kërkimi dhe shfaqja e gjërave, argumenteve që më interesojnë. Pra, mendoje mirë nëse ke faqe “profesionale” mbase është momenti t’u bësh unfollow kushërinjve! Vërtet, pa hatër mbetje, por jo gjithmonë lidhjet familjare përkojnë me shijet tona profesionale. Për familjen dhe miqtë mund të kesh një profil tjetër. Për vete bëj unfollow edhe kur një profil fillon të mos më bëjë të ndihem rehat me atë që poston. Në fund të fundit nuk jam i detyruar të shoh diçka që nuk më pëlqen. Prandaj kur shoh se dikush më ka bërë unfollow, e çmoj, ndonëse më vjen pak keq, sepse ka pasur karakter që t’i qëndrojë besnik vetes.

Ndiq atë që do

Kur them atë që do, them atë që “do” pra atë që vërtet dashuron, të pëlqen, të frymëzon. Fillimisht, është e rëndësishme të ndjekësh profile ku vërtet mund të mësosh apo të marrësh diçka. Ndiq gjëra që të përfaqësojnë. Do të shikosh se shumë shpejt të duhurit do të tërhiqen vetë. Patjetër është kënaqësi të mbështesësh të tjerët ndërsa ndërmarrin nisma të ndryshme, qofshin këto biznesi apo artistike. Me kalimin e kohës dhe me pak praktikë ndjekësit do të rriten dhe ne do të rrisim atë të tjerëve.

Diçka që ndodh rëndom është mesazhi që vjen në Inbox me kërkesën për share apo follow. Është mirë të kërkojmë mbështetje me lezet. Por të vëmë në pozitë të tjerët nuk është shumë e këndshme. Sepse vërtet, një follow nuk më kushton gjë, por edhe mund të mos jetë në shijet e mia ajo që poston. Mua më pëlqen shumë të ndaj me të tjerët kur gjej diçka të bukur. Gjithashtu, mund të krijohet një lloj solidariteti ku disa profile ndjejnë të mbështesin njëri-tjetrin dhe kur kjo vjen natyrshëm dhe me kërkesa të arsyeshme krijon vërtet një ambient të shëndetshëm.

Ndjekësit vijnë nëse ofron më të mirën. – Hajdeseflasim

Lexo edhe Etika në rrjet

This Post Has One Comment

Leave a Reply