Disa libra të bëjnë mirë, të tjerë të bëjnë dëm. “Dashnia asht” është libër që të bën mirë dhe dëm njëkohësisht. Mirë, sepse është libër “i bukur”, i plotë dhe hera-herës zbavitës. Dëm, sepse, natyrisht varet nga personi, ngacmon, prek plagë dhe të çon përsëri në disa gropa që mendoje se i kishe kaluar
Parsh e mbrasht
Zakonit për të lexuar librat “mbrapsht” nuk i jam ndarë. Një lloj marrëzie nisur në adoleshencë, doja ti gjykoja nga fundi. Në fakt janë përfundimet më të vështirat, mbylljet shkojnë përtej talentit letrar, ato përcjellin të gjithë qëllimin e shkrimit, dhe në pastë vlera të shkrimtarit. Dashnia asht, lexohet parsh e mbrapsht. Lexohet pa rradhë. Duke ndjekur këtë lloj marrëzie, kam arritur ta shijoj. Është tjerrur me atë fije çmendurie e cila flet “urtësi”, atë lloj që njeriu ka nevojë por nuk e di.
Habia ime e të lexuarit diçka aq të bukur në kohën tonë, që përmban një tjetër nivel mendimi dhe ndjeshmërie, më bëri të lotoj gjatë leximit. Por, kjo mbase ka të bëjë me mua që vuaj sigurisht nga ndonjë formë e sindromës së Stendalit.
Ky libër, ndihet si manual, por nuk duhet ndjekur si i tillë, kurrë mos qoftë! Ky libër të do të lirë! Mund të lexohet shpesh e nga pak, siç më pëlqejnë mua dhe ndihet se është pjesë njerëzore e cila shkëputet dhe merr jetë, e pagjykueshme e paanalizueshme, thjesht “asht”
Burrëror në shije të përgjithshme, në përfaqësim të fortë të gjinisë së autorit, por me një prekje “femërore” për nga frytshmëria e mendimit, delikatesa e ndjeshmërisë dhe lulëzimit të krijimtarisë, depërtues shpirtërisht. Gjë e rrallë…
Dashnia asht, është botim që së paku duhet lexuar për t’u bindur se shqipja është e begatë në fjalë dhe kombinime. Në mos nuk do ta pëlqeni do të dilni të pasuruar në fjalor. Mendoj se duhet lexuar për arsye edukimi. Befasisht edhe në pjesët gegnisht, të shfaqura ëmbël pa përpjekje, të çojnë në ndijim fjalësh të ralla por të kohës, jo të reja por as të skaduara, të cilat meritojnë të shqiptohen nga të gjithë. Sikur veç për këtë të lexohej libri! Një lloj humori hokatar përshkon dhe fshihet mes vargjesh që, edhe kur cek ndonjë kore plage të zemres, të lë shije të mirë, të bën ta duash.
Autori, me krijimtari të shquar ka lozur me gramatikën dhe fjalët duke çuar nivelin e zbavitjes intelektuale pak më lart. Ky libër të turpëron, duke të bërë të vetëdijshëm se sa pak dimë për gjuhën e se sa të cunguar jemi ndërsa përdorim dhuratën, më të bukur e cila është Fjala.
Paçka autori ka një biografi të lakmueshme përkthimesh dhe projektesh, mua nuk më bën aspak kureshtare, sepse ky libër përmban gjithçka të mjaftueshme!
Jam druajtur të shkruaj këtë koment (nënvizoj nuk jam kritike letrare), nuk është e lehtë të shpallësh librin tënd të preferuar shqip të kohëve të fundit.
Me shumë se urimët e rastit për një botim të tillë, do të doja të shprehja mirënjohje.
Lexo edhe Mallkimi i Shkrimtarit