Çfarë fjale! Një fjalë e përdorur në variante të ndryshme në shumë gjuhë. Një fjalë me shumë anë, me shumë ngjyra, kuptimplote dhe plotë kuptimesh. Disa e lidhin me edukatën, arsimimin, zakonet popullore.
Sipas një fjalori shqip një nga kuptimet është: tërësia e arritjeve të një populli a të njerëzimit në fushat e veprimtarisë shoqërore, shpirtërore e mendore (në arsim, në art, në letërsi etj.); tërësia e njohurive dhe e shprehive të mirësjelljes a të edukatës.
Më shumë se imagjinoja
Më shumë se imagjinoja, qenka një fjalë që përfshin shumë. Shumë pyetje më lindin. A nuk kanë kulturë edhe popullsitë që quhen akoma të egra? A ka kultura një normë të përcaktuar? Nëse kultura është e lidhur ngushtë më dijen dhe me edukatën, pse disa herë njerëzit e ditur nuk sillen me edukatë dhe të edukuarit nuk dinë? Po ashtu, kush ka udhëtuar e din se çfarë quhet “me kulturë” në një vend nuk është njësoj në tjetrin.
Fjala kulturë është dhuratë e lënë nga latinishtja, dhe ka lidhjen me kultivimin. Tërësia e njohjes intelektuale të marra gjatë studimit apo përvojës. Treccani, theksonte përfshirjen e shqyrtimit personal. Kthimi pra i dijes apo informacione në pjesë të personalitetit, vetë njohje. Një njeri me kulturë nuk është pra vetëm një njeri që ka përgatitje në një fushë të përcaktuar, por ai që ka përthithur dijen dhe e ka bërë pjesë së shijes personale dhe së shpirtërores. Sigurisht, kultura e një kombi për shembull, përmban zakone të lashta, trashëgimia artistike, muzikore, letrare. Sikur edhe gojëdhënat, shije, ide, mendime, që janë përcjellur nga familja.
Vetë mendoj se shumë të vetëshpallur me kulturë, shpesh po humbin një pjesë të madhe të saj, sepse diku ndalojnë procesin e kultivimit. Proces që nuk duhet të ndalojë. Me kulturë janë ata që pyesin, kërkojnë, ulin pak kokën kur udhëtojnë dhe në vend se të krahasojnë çdo gjë, janë të hapur dhe mirëpresin gjithçka mund të mësohet. Kultura është një lloj kërkimi i së bukurës, që shfaqet në sjellje dhe mendim.
Jam për herë mahnitur nga kultura të huaja. Jo sepse nuk vlerësoj timen, përkundrazi. Sa më të pasigurt janë njerëzit me kulturën e tyre aq më shumë nuk kanë aftësinë të çmojnë atë të tjerëve.
Kultura na qenka si një arë gjigante ku njerëzimi punon dhe mbjell thesaret e mendjes dhe të zemrës, vlera të lashta dhe risi drejt së ardhmes.
Lexo edhe Secili atë meriton