You are currently viewing Bukuria

Bukuria

Në mënyrë të pakundërshtueshme, shqisat me sa duket arrijnë të dallojnë bukurinë dhe përpara një gjykimi objektiv, përfundojmë të jemi të gjithë dakord. Më pëlqen të mendoj se ndjesia e bukurisë na bashkon, si ide më ngushëllon disi. “Bukuria do të shpëtojë botën” thotë Dostojevski tek Idioti. Më ka shqetësuar shumë herë të di çfarë është bukuria.

woman touching gentle flowers in water
Photo by Monstera on Pexels.com

Shijet e mia

Mua më duket se ne quajmë diçka të bukur, kot, pa e menduar. Jemi si viktima. A pyesim vërtetë çfarë na tërheq? Në shumicën e rasteve pëlqejmë atë që na kanë mësuar të pëlqejmë. Pra, çdo gjë pak sa e panjohur nuk hyka te bukuria por te çudia. Për shembull, përpara që njerëzit udhëtonin më pak, besoj se kishin standarde bukurie më strikte, ku fjala “ekzotike” përdorej më shumë si formë habie, gati-gati përçmuese. Përkundrazi, për mua, sa më e panjohur diçka aq më e bukur më duket. Sa më e rrallë, e ndërlikuar, e pakuptueshme, më tërheq. E ndonëse e bukura tradicionale të jep një farë kënaqësie, është kaq e mirëqenë sa më zë gjumi tek sa e shoh. Më lodh? Jo bukuria në vet-vete, por ç’ka na serviret për të tillë. Edhe nëse ekziston një ndjenjë e përbashkët për bukurinë, duhet të ekzistojë me siguri një ndjenjë personale, ku zhvillojmë shijen tonë subjektive. Bukuria, duke qenë një koncept abstrakt, nuk ka si të përkufizohet, fatmirësisht (sa i dua mos-përcaktimet). Ajo ekziston në mënyrë të pakundërshtueshme brenda nesh. Ne jemi të bukur, pavarësisht modestisë.

Ndoshta e kërkojmë aty ku s’duhet. Ndoshta, nuk e shohim kur e kemi pasur aty para për tepër kohë. A thua mësohemi me të në vend se të mësojmë prej saj. Bukurinë a thua e masim gabim? Me norma strikte? Me kanune të trashëguara? Me vizione të huaja? Bukuria shihet veç kur e kërkon. Ç’po them? Ajo nuk shihet “ndihet”. Ndihet posi, sepse shikimi është i kufizuar. Duhet bashkimi i një ushtrie shqisash për ta shijuar tërësisht.

Ajo i ka të gjitha brenda, të kaluarën, të renë, udhëtimin, ëndrrën e botave të largëta, imitimin e natyrës.

Noa Nur

Mua më pëlqejnë insektet

Sa herë them këtë, jo veç këtë, më shohin me habi. Sepse insektet duhen urryer, ashtu na qenka vendosur. Dashurinë për insektet e kam zhvilluar nga pak, me një farë droje e pranoj, por kur afrohesh një bote të panjohur kupton sa e vogël është bota jote. Format, ngjyrat, sjelljet e tyre më kanë magjepsur. Ky interes dhe pëlqim më ka ndihmuar të çmoj bukurinë, pa frikë, po, pa frikë se jo të gjithë e gjejnë aty ku e shoh unë. Ka qenë si një ushtrim ndër vite, që të pëlqej atë që të tjerët quanin të pështirë…

Po, se ajo herë bëhet boshti i qenies, herë mbulesa, herë mashtrim, herë zbulimi. Herë fshihet pas, herë rrezaton dhunshëm. Dallimin e bën dashuria që e vesh atë.

Bukuria është versioni pamor i dashurisë

Noa Nur

Lexo edhe Çfarë është poezia?

Leave a Reply