Ja që pas disa vitesh nga libri Kurrë Gri, vjen botimi përsëri. BojËndërr, përmbledh disa tregime dhe një koleksion thëniesh dhe patjetër poezi. Ky libër mbledh ndjesi reale që në ëndërr kanë marr formë rrëfenjash. Nëse do të thoja se si mora guximin të botoj përsëri e vetmja përgjigje vjen nga shumë larg. Vjen nga larg po, larg çdo arsyeje, larg së nevojshmes, së përditshmes e cila kundërshton kokëforte çdo dëshirë e jona. Një dhuratë nga larg, nga dikush, një dhuratë nga një univers paralel, ku mbase mua më lejohet të shkruaj.
Rreth librit
Nuk mendoj se më takon mua ta përshkruaj, as ta kritikoj, as ta lavdëroj. Ju siguroj se nuk tentoj të bëj letërsi, ka kush merret me këtë punë. Unë shkruaj sepse është pjesë e asaj që jam. Me anë të shkrimit studioj veten dhe vendin tim në këtë botë. Nëse do ta etiketoja do ta quaja shkrim emocional. Në ato tregime, miqësore edhe për mosha të reja dhe një lexues fillestar, kam lëshuar mesazhe të cilat uroj me të gjithë zemrën secili ti gjej.
Kësaj radhe, do të marr pjesë në Panairin e librit 2023. Me shumë dëshirë për të shijuar atmosferën dhe pse jo vëzhguar këtë akuarium lexuesish dhe autorësh.
Faleminderit
Dua të falënderoj dashamirësit e faqes që janë bërë aq të dashur dhe të shtrenjtë. Disa prej jush, më keni nxitur, dhënë zemër, dhe secili në mënyrën e vet jeni bërë pjesë të këtij projekti që për mua është kaq i rëndësishëm. Faleminderit ty dhe ti e din shumë mirë!
Shtëpia botuese 2M
Foto Tani Marku