You are currently viewing Oh Maj

Oh Maj

Oh Maj, të kam pritur gjithmonë në një heshtje modeste, në kërkim petalesh e aromash.

E fshehur në pupëz, në një errësirë të gjatë, por jo pa ndikim drite. E mbledhur si vemje, ndjej çdo grimcë të vetes që jeton edhe në palëvizshmëri.

Ekziston një vend intim para lindjes ciklike që e përjetojmë çdo herë. Një verbëri totale, ku drita tejkalon përbërjen kockore ende të tejdukshme.

Dhe kështu krijohemi. Qëndisemi drejt lirisë, ndërsa vetëthuren flatrat.

Ndërsa ndjej aromat dhe prekjet, të parat e të fundit, i hap sytë. Pak më shumë shoh. Më shumë ende kam për të parë.

I gëzoj lindjes së dhimbshme të konturëve të reja të vetes, atyre që vit pas viti formësohen më të buta, më të lehta.

Oh Maj… lindmë si të duash dhe lërmë të fluturoj.