Pra, çfarë është një copywriter?
Për një kohë të gjatë, e pashë “copywriting” si mënyrën më të mirë për të përdorur aftësitë e mia në shkrim. Dhe, për të qenë e sinqertë, e dua punën time. Por ja e vërteta: mund të shkruash bukur dhe prapë të mos jesh një copywriter i vërtetë.
Një copywriter nuk është thjesht dikush që shkruan mirë. Një copywriter është një tregimtar me një qëllim – dikush që përdor fjalët për të bindur, për të frymëzuar ose për të shitur. Nuk ka të bëjë me fjalitë më të bukura, por me zgjedhjen e fjalëve të duhura që të bëjnë njerëzit të ndiejnë, të mendojnë dhe të veprojnë.
Prandaj copywriting është një aftësi më vete. Është aty ku arti takon psikologjinë – dhe kjo është ajo që e bën sfidues dhe emocionues.
“Copywriting” është kudo!
Copywriting nuk shet vetëm produkte. Ai shet stil jetese, frymëzon patriotizëm dhe madje formëson mënyrën se si e shohim historinë. Ne mendojmë se përdoret vetëm për të prezantuar produkte ose ide, por është shumë më tepër se kaq.
Ai formëson mendime, vendime, besime.
Por kur fjalët përdoren për të manipuluar dhe jo për të informuar, kthehen në një armë.
Kombet, korporatat dhe organizatat kanë përsosur artin e tregimit të historive – mite të romantizuara, marifete emocionale dhe gjysmë të vërteta të krijuara për të na bërë të besojmë atë që ata duan.
Makinat e miteve
Copywriting i mirë është tregimtar. Por kur historia shpërfill faktet ose rishkruan historinë, shndërrohet në manipulim.
Një histori e bukur sajohet për t’ju shitur një produkt ose një ide. Ju lidheni emocionalisht, përfshiheni… dhe pastaj blini.
Një ditë mund të dëgjoni: “Jul Cezari ka pushuar dikur në këtë resort.” Një tjetër ditë një korporatë do t’ju shesë ëndrrën: “Ne nisëm nga një garazh i thjeshtë,” ndërkohë që fsheh miliona dollarët e investimeve fillestare.
Qeveritë rishkruajnë librat e historisë për ta bërë një luftë të kaluar të duket heroike; madje manipulojnë fjalët për të zbutur mizoritë. Masakrat quhen “operacione strategjike”. Vrasjet e civilëve quhen “dëme kolaterale”. Kapituj të tërë të historisë zbuten ose fshihen për të mbrojtur krenarinë kombëtare.
E gjitha kjo… është Copywriting!
Çmimi i tregimëve të njëanshme
Copywriting manipulues nuk shet vetëm produkte – ai formëson mënyrën si mendojmë dhe si e ndajmë botën:
Përçarje – Sloganet emocionale krijojnë mentalitetin “ne kundër tyre”.
Dezinformim – Njerëzit fillojnë të besojnë mite në vend të fakteve.
Humbje Besimi – Kur e vërteta del në shesh, audienca ndihet e tradhtuar.
Si ta njohim Copywriting manipulues?
Mbrohuni duke vënë re disa shenja paralajmëruese:
✔ Tregime të thjeshtuara tepër – “Ne jemi të mirët, ata janë të këqinjtë.”
✔ Gjuhë tepër emocionale – Fjalë të krijuara që të veproni shpejt, pa menduar.
✔ Pa fakte, vetëm pretendime të mëdha – Nëse nuk ka prova ose burime, dyshoni.

Pse ende e dua Copywriting
Personalisht, unë ende i dua projektet e mia në copywriting. Më pëlqen të krijoj përmbajtjen më të mirë mbi një temë, duke u përpjekur të lidhem sinqerisht me njerëzit. Dhe kur bëhet fjalë për shitjen e produkteve, nuk ka asgjë të keqe të përdorësh fjalët për të frymëzuar dikë të blejë diçka të dobishme ose të bukur.
Por… mendoni për mënyrën si njerëzit e fuqishëm përdorin copywriter e tyre. Ata nuk po shesin këpucë apo kafe – ata po shesin ide. Ata po ndryshojnë rrjedhën e botës, po luajnë me perceptimin tuaj dhe madje po ndikojnë në vendimet tuaja jetësore.
Natyrisht punësojnë copywriter më të mirë që dinë t’i përdorin fjalët aq mirë sa t’ju ndryshojnë ndërgjegjen pa e kuptuar sa herë të duan.
Kështu që, herën tjetër që emocionoheni vetëm sepse “Jul Cezari ka pushuar dikur në të njëjtin resort ku planifikoni të shkoni,” bëni kujdes – mund të jeni më të manipulueshëm se sa mendoni!
