You are currently viewing 22 Euro liri

22 Euro liri

A vlejnë 22 euro për një hapësirë të vogël lirie?

Erdhi sërish koha të rinovoja domain-in për këtë blog personal. Isha në dilemë nëse do ta vazhdoja apo jo. E bëra. Para dhjetë vjetësh të kisha një blog — një hapësirë publike ku të krijoja, të hidhja mendime, të mbaja një lloj ditari ishte (dhe është ende) një nga pasionet e mia më të mëdha!

Shpesh mendohet se të kesh një blog sjell përfitime financiare. Por blogu im harxhon më shumë se sa sjell. Nuk ka reklama, nuk lexohet nga shumica. E megjithatë, është imi. Është cepi im, ku mund të flas lirshëm, të ndaj poezi, shkrime, mendime. Një vend ku luaj “publicistin”, pa ndonjë peshë mbi supe. Blogu personal është si një akt i vogël lirie ndaj vetes.

Hapësira ime

E dua këtë hapësirë, edhe kur nuk shkruaj, edhe kur nuk ndaj. E dua sepse është aty, një vend i qetë në zhurmën e botës. Në një kohë ku informacioni është i tepërt, ndonjëherë humb edhe dëshira për të thënë diçka pyes veten: Po unë, ç’i duhem?

A ndiheni ndonjëherë të tepërt? Si në një turmë që përsërit të njëjtat fjalë, ku asgjë e re nuk lind, dhe më keq — asgjë nuk vlen. Interneti ka dhënë mundësi të shprehemi më shumë, por edhe ka mbushur gjithçka me zhurmë. Sërish, unë gjej qetësi në këtë blog. Pavarësinë për të thënë çfarë dua, kur dua, ose për të mos thënë asgjë.

Blogu personal siç e dua unë, kërkon përkushtim: ndryshime në pamje, përmbajtje cilësore, foto të punuara me kujdes. Me kohën, kjo bëhet e lodhshme. E prapë, nuk ndihem keq nëse pushoj. Askush nuk pret gjë. Askush nuk mërzitet.

A janë këto 22 euro të shkuara dëm? Ndoshta, ndoshta jo.

Një hapësirë e vogël lirie vlen më shumë se kaq. Përgjigjen e dini ju më mirë.

Për mua ky ditar publik është mënyra ime për të thënë ” Jam këtu, të shoh edhe ty”.

Ju falënderoj për faktin që jeni këtu, që jemi së bashku!

https://www.youtube.com/@hajdeseflasim_noanur

Leave a Reply