Po sikur t’ju thoja se e urrej Pranverën? Ajo është e bukur! Çelin lulet, lulëzojnë pemët edhe vazot në ballkonet më të harruara. Çdo gjë duket më e bukur, rrugët, trotuaret, edhe bahçet më të rëna. Të rinjtë lënë orët e mësimit. Vajzat hollojnë veshjet, djemtë rrinë qosheve. Edhe njerëzve më të rëndomtë u bie një nur rastësishëm. Dashuria shpërthen si sythat e parakohëshme e budallaqe. Çdo cep mbulohet nga një hije rozë që supozohet të të lumturojë. Zogjtë cicerojnë…Unë?
Refuzoj të bëhem viktimë e këtij mashtrimit kimik. E pse u dashka koha, moti të diktojë humorin tim? Sigurisht, dua të jem e kënaqur por jo pavetëdije. Jo pa arsye, jo pa dashje. E urrej Pranverën kur përpiqet të më lumturojë e pafytyrë dhe shendever. Oh po … le të çelin të gjitha … le të dashurohet dhe ky brez budallenjsh. Unë do mbetem hundë e buzë … vetëm, duke luftuar kundër Pranveres.