You are currently viewing Njerëzit (nuk) lexojnë

Njerëzit (nuk) lexojnë

Nuk mendoj se kjo është çështje e re. Lexuesit kanë qenë për herë pak, kudo në botë. Mund të përmenden periudha të historisë kur leximi dhe natyrisht shkrimi i përkisnin elites. Përgjatë epokave ishin vetëm grupe tepër të vogla që kishin akses leximit, dijes si pasojë. Lexuesit ishin shumë shumë pak, për shkak të analfabetizmit apo sepse përdoreshin gjuhë të njohura vetëm nga grupet sunduese. Na janë dashur shekuj të arrijmë deri këtu, e ndoshta nuk kemi përparuar tepër.

Është e vërtetë se ndoshta në krahasim midis fragmente epokash moderne njerëzit lexojnë më pak, por ka ndryshuar edhe informimi, mënyra, mendësia, organizimi i lirisë, përparësitë dhe nevojat njerëzore. Krahasimi i lodhshëm me më “përpara” nuk mund të mbajë argumenta. Jeta jonë është ndryshe kryekëput.

Nuk mund të pretendohet që të gjithë të kenë të njëjtën prirje, dëshirë, thellësi, zhvillim dhe gamë interesash. Nuk mund të presim të jemi të gjithë të tërhequr ndaj letrave!


Megjithatë kam më shumë merak për lexuesit se sa për ata që nuk lexojnë fare. Po, sepse shpesh dynden me libra sa për të përmbushur listën apo lexojnë çfarë është në modë, libra të shitshëm dhe mpirës. Libra që duhen lexuar se janë “bestseller” apo se të gjithë i kanë lexuar. Ende më keq, të imponuar nga trysnia shoqërore. I frikësohem edhe lexuesit monotematik. Atij që lexon vetëm një lloj botimesh. Kjo e çon në një mbyllje mendore më të frikshme se mos-leximi.
Lexuesit, më shumë se kurrë kanë zë sot. Rrjetët sociale gëlojnë me lexues të ethshëm që ndajnë leximin e tyre me zellin më të madh. Ka dhe radio apo disa emisione që flasin për libra…

Pavarësisht se shumica preferon gjëra të tjera, sepse marketingu është “diktatura e re”. Në të vërtetë zëri që na duhet të ngremë është zëri i një gjykimi pak më të mirë, shijes pak më të lartë, zgjerimi i diapazonit së ndjesive, kërkimi i skutave të fshehura të shpirtit dhe së mendjes. Të përpiqemi që leximi dhe arti, mos të mbetet në dorë të elitës, sepse elita realisht nuk ekziston, në mos në iluzionin e këtyre të fundit. Sot kush do, mund të rritet në dije, të mbushet, të dallojë dhe të dallohet.

Leximi është palestra e vetme për zhvillimin e intelektit. Kur njerëzit pohojnë gati-gati krenarisht se nuk lexojnë, dhe megjithatë u ecën, mos të bëhen merak se kuptohet edhe pa e thënë.

Të rinjtë nuk lexojnë

Edhe kjo fjali është mësuar përmendësh, duke i rënë për shkurt e fajësuar të rinjtë për mungesën e interesit ndaj librit. Nuk do ta ndaja me breza por më shumë me lloj njerëzish. Në shëtitjet e mia vetmitare shoh shpesh njerëz dhe të rinj që lexojnë. Më ndodh kur vet jam duke lexuar, të ngjashmit shfaqen si kërpudha magjike. Të rinjtë nuk duan të lexojnë medoemos atë që lexon ti e aq më tepër atë që shkruan ti. Të rinjtë kanë kohën e tyre për të eksploruar, për tu rritur dhe për të gjetur narrativën e tyre të preferuar. Me këtë nuk po hedh poshtë klasikët që dua kaq shumë, as shkrimtarët bashkohorë. Megjithatë më shumë kam dëgjuar të ankohen shkrimtarët që s’u shitet libri të bëjnë deklarat mbi mosleximin. E po, iku koha kur njerëzit detyroheshin të lexonin.

Të rinjtë duan edhe të shkruajnë

Ndoshta të rinjtë lexojnë por duan edhe të shkruajnë. Si shembull (pasi ka disa) të këtij fenomeni të sotshëm, do të përmendja Dëfrim Ceka me librat e tij të cilët janë mirëpritur tek lexuesit e rinj me një sukses të kënaqshëm. Qasja në rrjetin social e ka përshpejtuar mbërritjen tek lexuesi. Për shembull novela “Jetë të humbura”, është lexuar shumë nga mosha të reja. Kur po e lexoja, më shumë se sa mendimi i autorit, ndjeva një mendim kolektiv, më saktë një nevojë “e të riut” që dëshiron të dalë në sipërfaqje. Ky libër (duke lënë menjanë analizën e tij) më vjen si një thirrje shpërblimi të një grupi jashtëzakonisht të madh të rinjsh. Libri ndër rreshta dëshiron të nënvizojë vlera dhe shpresa që nuk i bashkangjiten më këtij brezi. Dëfrimi na prezanton me një pjesë të rinjsh që ekzistojnë të shumtë por nuk shihen lehtë.

Librat e botuar nga të rinjtë janë shpesh një pasojë shpirtërore më shumë se letrare. Ato mund të mos e plotësojnë listën e kontrollit të cilësisë së një botimi letrar tradicional, por ja që dërguesi e gjen marrësin. Ato funksionojnë si një letër e cila shkon vetëm adresës së duhur.

Prandaj ndoshta, mund të riformulojmë pyetjen po unë a dua ti lexoj të rinjtë? Qoftë kjo për një nevojë sociale më shumë se letrare? A nuk duhet të rinjtë të lexojnë njëri-tjetrin? A nuk mendoni se bëhemi shumë të ashpër me pritshmëritë? Po ashtu, a e marrim për të mirëqenë se një vepër është e mirë vetëm nga mosha apo volumi i botimit? Me këtë nuk hedh poshtë asnjë, thjesht pyes veten cilat janë standardet e mia? Përkundrazi, a janë medoemos me vlerë librat më të shitur dhe të reklamuar në gazeta të njohura letrare apo në rrjete sociale?

Libri, bëhet një krijesë me këmbët e veta dhe do të arrijë në destinacionin e vet pa shumë mëshim. Natyrisht secili ka një “takat” të vetin dhe do të arrijë pa frikë aty ku është nisur. Njerëzit lexojnë se ç’ke më të, jo më kot libraritë vazhdojnë të sheshin në format letër dhe digjital.

Të rinjtë nuk lexojnë thotë plaka që sheh telenovela

Njerëzit nuk blejnë libra thotë autori që nuk shet libra

Noa Nur

Lexuesit

Lexuesit nuk do ti jepja asnjë këshillë. Midis librit dhe lexuesit ndodh një marrëdhënie dashurie dhe rrallë funksionon shkuesia. E vetmja gjë që ndjej të them është: le të hedhim poshtë muret e ngritura më kot, të gjejmë rrugën tonë të leximit me inteligjencë dhe përzgjedhje.

Lexo edhe: Bisedë me Noa Nur tek Revista Express

Nëse dëshiron pajtohu të marrësh postimin në emailin tënd.

Leave a Reply