Një herë në ca muaj apo mijëra vite, një herë në hënë, më prishet ora. Koha ndalet, epokën e zgjedh vet. Çdo njeri rreth meje ngadalëson levizjet. Shiu i imët, dielli i fortë, i ftohti apo furtuna nuk do më ndalë lajthitjen time.
Eci për orë të tëra ndersa njerëzimi i çmendur ngrin në sytë e mi. Sikur të jem fillikat, marr rrugën e panjohur. Një rrugë që zgjatet para pa qëllim dhe prapë gjen adresën. Një rrugë po aq e çmendur sa njerëzimi. Takoj, flas, më afrojnë,të panjohurit vetvetiu, tërhiqen nga kllapia.
Hap kraharorin dhe zemra lëshon rrezët, jap energji. Marr buzëqeshje, jap buzëqeshje. Ngushëlloj dhe ngushëllohem. Marr energji nga natyra, kalimtarët, aromat, zhurmat dhe dritat. Eci dhe buzëqesh, kërcej dhe lajthis.
Një herë në “mijëra vite” ndalet qarkullimi i planetëve, koha mbetet e imja, e aty ku çdo gjë ndalet unë filloj të rrokullisem…
Filloj të jem akrepi dhe ora. Eci para dhe mbrapsht.
Nëse rastësisht do të më dalësh përpara atë ditë, një herë në mijëra vjet, një herë në hënë, më fol ose mos më fol. Më shih ose mos më shih. Veç ji i vërtetë. Do të mund të rri pranë, do të mund të zbuloj për pak çastin e përhershëm. Do të mund të flas për orë të tëra, të përqafoj dhembjet e tua e t’i bëj lot për vete. Të ta dëgjoj gëzimin dhe të kërcej për shekuj.
Nëse më takon atë ditë, ti do të bëhesh poezi…
Një herë në 1000 vjet qenka perlë.
, të përqafoj dhembjet e tua e ti bëj lot pë vete.Të ta dëgjoj gëzimin dhe të kërcej për shekuj.
Nëse më takon atë ditë, ti do të bëhesh poezi…
Faleminderit shumë
Shume e bukur👏👏
Imagjino te jete hene e plot ate dit njerezit jan pak si te cmendur😀😀