Doja të shkruaja një letër. Po letër. Të më shihje kaligrafinë. Ndoshta nuk është e bukur, por tregon shumë, thonë. Oh sa gabime do të gjeje, se të ndjeshmit, e di ti, ngatërrohen. Të fshira, shtesa dhe korrigjime, të gjitha të njomura nga lotët e mi, si akuarel.
Një letër e vërtetë, do të mbante erën e sirtarit tim. E shkruar do të ishte me stilolapsin tim të preferuar, me të cilin do të mëshoja lehtë ose fort mbi letër. Do të ishte shkrim i gjatë sa të merrte frymën.
Një letër që do ta mbaja pak kohë në gji. Më pas ti do ta prekje duke ndjekur shkrimin, e të ndjeje çdo presion të dorës sime. Do të ndjeje konturin e çdo gërme, të forcës apo dorëzimit. Një letër që do të lexohej e rilexohej. Do të mbahej fshehur apo do të digjej përgjithmonë. E lexueshme, jo e thjeshtë. Mbase do të qeshje, do të qaje, në fund me siguri, do të dridheshe.
Doja të shkruaja një letër, ta palosja ngadalë, ta mbyllja, të lëpija buzën e hidhur të zarfit. Do të fluturonte letra në adresën e duhur, do të prekej më në fund nga duart e tua. Jemi larg apo afër, rëndësi nuk ka, doja të shkruaja një letër që mendimet e mia të kalonin nëpërmjet buzëve të tua ndërsa t’i lexoje me zë.
Shum e bukur nostaligji e koherave te vjetra..
Me perpara ishte akoma me bukur.. pershembull e di kur dergonin dhe nje kartoloin un sdi ta pershkruaj po kishte ndjen tjeter nga tani..
Ku dihet sa letra ke akoma apo ke shkruar ti.. 🙂