Dhembjet e mëdha ulërasin, dhembjet e vogla garojnë fshehurazi mjaft mirë, disa i marrim edhe hua. Ato kanë emra të ndryshëm. Emra njerëzish, emra sëmundjesh, emra dështimesh, humbjesh, frikash, ndoshta vet emrin tim. Të gjitha mbuluar nga cipa e hollë e turpit se mos po vuaj më shumë se ç’duhet apo nuk jam e fortë sa pritet. Duhet vetëm një fije guximi për t’u kujdesur për veten, për të pranuar ndihmë, për t’u ndriçuar përsëri.
Ky ishte postimi im tek projekti Të kam në mendje
Betonizimi shpirtëror
Mendimi se të jesh i fortë do të thotë të mos qash, të mos reagosh, të mos lodhesh kurrë, të mbetësh i njëjtë gjatë të gjithë jetës pa levizur qerpik, është një iluzion kolektiv suksesi, i cili është vetëm i pamundur dhe të them të drejtën i shëmtuar. Kjo lejon të pamendët të quajnë të tjerët të çmendur, dhe të ndergjegjshmit të kenë turp që të kujdesen për veten. Betonizim shpirtëror. Është derdhur një shtresë e vazhdueshme betoni tek ne. Ajo nuk na lejon të ndjejmë, as të reagojmë kur në fakt shpirti ynë po rritet dhe do të shkojë përtej, të dalë nga traumat, të shërojë plagë të trashëguara, të ndryshojë jetën, të jetë vetvetja, të mbajë zi në mënyrën e vet, të bluajë ide të tjera, të lirohet nga pesha që nuk mban dot. Një gjë është e sigurtë se njerëzit që kalojnë periudha krize, qofshin këto ekzistenciale, damkosen si jonormal. Normaliteti, koncept i diskutueshëm… Është vërtet e frikshme se si pjesa shpirtërore cungohet çdo ditë e më shumë në shoqërinë tonë. Në vend se të lirohet vendi ku shpirti të harliset, ai shkelët duke pretenduar se kështu do të shërohet. Kështu ata që janë mirë, sfiliten, ata që nuk janë mirë nuk i lejohet të shërohen.
Jemi një
Një paragjykim tjetër që kam hasur është se trajtojmë mendjen tonë sikur të jetë veçmas, sikur trupi është më vete. Mendja dhe trupi ynë fizik janë të lidhur. Disa mendojnë se zgjidhja shpirtërore është vetëm duke u përqëndruar tek çështjet emotive. Natyrsisht, ato nuk duhen anashkaluar. Biseda me njerëz të besuar apo terapia ndihmojnë jashtëzakonisht. Megjithatë shumë nga gjendjet tona vijnë edhe nga një mosfunksionimi fizik. Mungesa e dritës, e lëvizjes menyra si hamë, apo faktorë të tjerë kimik. Jemi një. Për këtë, duhet patjetër të interesohemi për shëndetin tonë në tërësi. Vajtja tek një specialist, mund të na ndihmojë të parandalojmë përkeqësime. Turp është, e di. Disa do të qeshin. Disa të tjerë do të shohin me dyshim, të tjerë do të habiten dhe do të largohen. Po, sepse, nuk do të dinë se çfarë të thonë, dhe versioni yt në këtë fazë i tremb. Kam arritur në përfundim se i frikësohen pasqyrimit të vuajtjes së tyre, dhe duke qenë pak më të dobët nuk e durojnë dot. Do të mbetesh vetëm? Mos ki frikë. Nganjëherë gjendjet e tilla si pikëllimi, dëshpërimi dhe ankthi janë një zile e zhurmshme shpetuese në jetën tonë. Diçka duhet ndryshar! Me mendësinë e duhur do të rezultojnë si një rritje shpirtërore të jashtëzakonshme, një zgjatje indesh emotive. Por sikur të kemi qartësisht nevojë për ndihmë? A të vjen turp të shkosh tek mjeku kur të dhemb barku? Fundja, turpi hahet me bukë… Haje edhe ti. Duhet vetëm një fije guximi.
Rrugë
Është rrugë e gjatë. Pretendimi se do të jemi mirë në pak kohë, na rëndon më shumë. Për të arritur në një gjendje qoftë trishtimi, depresive është dashur shumë kohë, dhe kemi qenë shumë të fortë madje. Prandaj duhet një kohë relativisht të gjatë për tu rimëkëmbur. Në disa raste, vetja jonë e vjetër sado e lezetshme të ketë qenë, nuk do të rishfaqet. Por do të jetë e mrekullueshme të vazhdojmë me një version të përditësuar të vetes, me ndonjë aftësi më tepër, me vetëdije të plotë, me një ritëm të personalizuar. Duhet pranuar në disa raste ku çrregullimet janë më intense, rruga bëhet më e pjerrët. Ajo është rruga jonë gjithsesi.
Unë nuk flas dot në emër të çdo personi, nuk flas dot për çdo rast, unë nuk jam e specializuar. Por flas nga “rruga” ime dhe nga ata që kam takuar në të. Mos e gjykoni ashpër veten, kujdesuni për të gjitha pjesët tuaja me dashuri. Duajini të gjitha ngjyrat tuaja!
Të lutëm, nëse nuk ndihesh mirë, merr në konsideratë të shkosh tek një specialist. Kërko ndihmë dhe kujdesu për vete!
Ji mire të lutem
Nuk mbetet tjetër veç të jemi mirë,
ta vendosim e ta ndajmë mendjen.
Paçka të gjithave,
paçka vetes së pazgjidhur dhe të tjerëve të pakuptueshëm.
E le të jemi mirë. Me sytë e ujshmë, por jo bosh.
Të vetëm mbase, por të plotë.
Të mbushur me dhembje, por me pak ironi.
Ji mirë të lutem dhe ti…
Nga Kurrë Gri
Imazhi me dizajn nga Esmmy