You are currently viewing Dhoma e Poezisë

Dhoma e Poezisë

Ka vend …

Ka ardhur momenti të krijoj një hapësirë të ngrohtë mikpritëse për poezinë. Kjo është dëshirë e hershme dhe e vazhdueshme. Ka pasur përpjekje por me sa duket mbetet, prandaj dua ta filloj, ndryshe edhe një herë. Kjo rubrikë nuk vjen në forme kritike as recensioni. Nuk ndihem rehat në atë rol. Dua vetëm të mirëpres.

Ju, rendis më poshtë tre të parët. Ndihuni të lirë të komentoni apo ti ndiqni.

Mishel – Andrea Tarka – Hymyjen_varas

Nga Mishel

Mbyllur në një objektiv qelqi,

vështrimi yt i brishtë;

brenda teje – kushedi sa stinë

kanë lënë gjurmë vetmie.

Je një libër drithërimesh,

i përthyer dhimbshëm mbi heshtje,

hyjnor, si skicë me plumb

përmbi pergamenë.


Ndonjëherë,

rrallë, siç tundet mali prej tërmetit,

m’humbin themelet e kësaj bote,

e pjerrtaz, në rënie diagonale,

nuk e shmang dot rrëzimin.

Më pas, para pasqyrës unë qortohem,

për këtë mani të pakontrolluar,

që më detyron të zbres nga qiejt

e në humnerë të të kërkoj,

duke marrë parasysh vdekjen.


Heshtja është fjalimi më i gjatë që kam dëgjuar.

Pa pika e presje, aspak i përpunuar.

Kaq i thellë sa vështrimi im se çan dot,

ti bëj ballë, ta injoroj apo shpërfill, mundohem më kot.

Dhe dorëzohem.

Bëhem pjesë e heshtjes dalëngadalë

apo ajo pjesë e imja që më lë pa fjalë,

mbërthyer në korniza ari gënjeshtare

e më ka varur peshë, pa kuptuar fare.

Galeri pa fund monologësh pa zë.

Majlinda Pertraj autore ‘PIANETA CUORE’, 2018
‘SENZA EPILOGO’, 2021 Edizioni Libereria

Nga Andrea Tarka

Në ëndërr

Erë u bëra,

shtegtoja me zogjtë,

fluturave lulet t’i tregoja.

Pa ngjyra,

pa formë,

si një dashuri.

Ashtu unë ndihesha,

ngase në ëndërr isha,

por unë jetoja

me shqisa, me ndjesi

njësoj si ti.

Pastaj lum u bëra,

ujita tokën,

përkëdhela peshqit,

freskova kafshët,

me to ndenja.

Te lulet përsëri shkova,

s’mund të rrija pa to,

përsëri nuk e mësova dot.

Ëndërr që vjen, ti.

Një pikëz uji

Një pikëz uji

u bë një me lumin,

nisi rrjedhën

në një hapësirë të madhe blu.

Harroi se nga erdhi,

harroi gjethen nga e cila pikoi.

Në rrugëtimin e saj

për në parajsën e pikëzave blu.

Gjethja nuk e harroi atë,

nuk harroi as vijën

të cilën pikëza e ujit la pas.

E pasi u tret, u lidh me rrënjët,

të cilën ende e lagin sytë e tu.


Ty, që përkëdheljet të kanë harruar

Ty, që përkëdheljet të kanë harruar,

fjala e duhur, diku është penguar.

Sytë e tu gjithçka tregojnë,

përveç dashurisë së papërkëdhelur.

Vajzë e bukur dikur,

sot, e bukur grua,

mbi zemrën që dhimbjes i shkruan

si zogjtë e stinës së larguar.

Kthehuni përkëdhelje, veç njëherë,

të zbutet zemra e pabanuar,

të lexoni ç’ka shkruar shpirti,

fjala e duhur t’i fal ndjenjë

shikimit të përkëdhelur,

tek shfaqet sërish në sy

për atë që mbeti “i harruar”.

Andrea Tarka – Tingull Poezie

Nga hymyjen varas

E dashurinë e besoj te ti…

Në buzëqeshjen e ëmbël, shkaktare të gropëzave në faqe,

Në lotin e kristaltë, që dhimbshëm shpirtin ma shtrëngon.

Në sytë plot nimfa ngjyrorë, që së vallëzuari s’ndalojnë,

Në zërin që ëmbël jehon, e në dejet më të thella të qenies kumbon.

Aroma,

ajo që po më kthehet në dozë jetike,

dehje e athët ritmike.

Pasqyrimi i dritës, hënës!

Nën gjurmët e të cilit, çelësin e buzëqeshjes fsheh!


Në copëza pellgjesh fshihem, gje(n)dem, strukem.

Në kyçe të tharëshme, që diellit i jepen gëzueshëm

Zhduken!

Pikla që vibrimin e jetës i ushqejnë.

E … marrosur pas nxehtësisë si unë,

Avullojnë, por diellin s’mundën ta takojnë.

E i gëzohen mendimit,

Që në krahët e tij tirren si anrralla më e bukur,

Ku shpirti s’di ç’ndien…

Por e sigurt s’mund të jetë lumturi.

Sepse… a është lumturia përzier me frikën, mëkatin, shfajësim, mëshirën bashkë?!

E pra as unë s’mendoj që ka të tillë kurorëzim.

E unë,

Unë për ty bëhem murg pellg i vogël,

E mëkatin ta shëroj në pendesë…

Por ti, ti vazhdo ta duash diellin pa mëri.


E kuqja e gabuar!

Vërshonte një mpirje drithëruese!

E çuditshme për gjuhën helmuese.

Tek dëgjoja ëmbëlsinë që linte

Gërvishtja e gënjestrës së radhës,

Vjeçare e menduar.

Çudi s’pipëtíu buza e helmuar!?

Vrap i heshtur që dëgjohej diku në kafkë,

E qerpikët ledhatarë përkuleshin.

Buzët si grepa mbanin mollëzat lart,

E një zjarr edukisht i praruar

I vishej velave të anijes s’ëndë të çalë.

Disa dallgëve fillestarësh i lëshohej,

E unë aktroja si të ish i duhuri drejtim.

hymyjen_varas