Të shoh ndërsa pluskon mbi hënën tënde. Sheh botën nga larg, prej kaskës tënde të çuditshme. Je shtrënguar fort e mbërthyer mirë, veshja hapësinore ndoshta të mbron, ndoshta të pengon.
Të shoh ndërsa prek hënën, prap se ç’kërkon. I ngre duart nga larg, përshëndet, kë? Ke ngecur vetëm mbi hënë me gjithë këtë univers përreth, buzëqesh, në pritje të një shenje të largët.
Të shoh, herë kërcen vetëm nga gëzimi, herë strukesh në errësirën e natës. Harrova, mos ndoshta mbi hënë është gjithmonë natë?
Hapësirën e kërkon. I ke shtyrë kufijtë e vetës tënde, frika të tërheq drejt zbrazëtive të reja. Hapësirën e kërkon dhe në vetminë tënde mendon se e gjen. Të shoh, ndërsa përgjërohesh për një fluturim të fundit, ndoshta fatal. Për të prekur të paprekshmen, për të kapur të pakapshmen. Hëna të ka hapur rrugë, të ka pritur në kratere të ftohta, por ti nuk i do, ti kërkon të ikësh. As nuk do të rrish, as nuk do të kthehesh. E shoh, ti do hapësirën, do të hidhesh në të, pa e njohur, pa e ditur, pa e kuptuar. Shpik planete të reja, imagjinon t’i zbulosh, që të gjesh arsye të ikësh. Frika është edhe tërheqje. Sa më shumë ke frikë aq më shumë shkëput këmbën drejt saj. A mund t’i thyesh ligjet e natyrës? A mund të zhvishesh dhe të notosh në hapësirën e madhe sikur të ishte det? A mund të pranosh rrezikun e humbjes, të asgjësimit, të zhdukjes në univers veç për një çast në atë hapësirë të ëmbël?
Të shoh astronaut, që je i lodhur të rrish në hënë vetëm, të shoh që fillon të flasësh me vete, të numërosh hapat e tua, këndon këngë të vjetra, të mungon ndoshta gjë? Ti do hapësirën.
Hapësira është gjë e madhe, e gjallë. Ajo pranon dhe të mbërthen. Ajo tërheq dhe shtyn. Të gjen e të mbulon. Ti drejt saj ngre sytë dhe qesh. Zgjat duart për t’i shpëtuar palëvizshmërisë së hënës, e cila me mallëngjim të mban mbërthyer. Ti nuk do të ngecësh, do të çlirohesh, të bëhesh pjesë e universit. Astronaut i shpirtit, e shoh se ku do të shkosh. Ti do të mësosh notin e yjeve. Të kalërosh meteorin drejt hapësirave të lira.
E di, e kuptoj astronaut, unë jam në hënën përballë.
Picture credit Arben Llapashtica
Pingback: Blog | hajdeseflasimBlog