Vjen një moment që nuk dimë më ç’ti urojmë vetes. Sepse jemi plotësisht mirënjohës për gjithçka kemi. Edhe për arritjet më të vogla, ato që asnjë nuk di, sidomos ato. Ndoshta na duket sikur nuk kemi më nevojë për asgjë, kjo nuk përkon me realitetin, sepse nevojat tona janë bërë më të thella, të fshehta, “të holla”. Në fakt, ndërkohë, nuk dimë më ç’t’i urojmë vetes, sepse e dimë që janë fllucka sapuni, që pluskojnë brenda nesh kaq të brishtë…
Madje, kur hija e lehtë e lumturisë afrohet, të mallkuar nga pesimismi bestyt, nuk gëzojmë dot pa frikë. Sikur nuk jemi mësuar, sikur i gjithë gëzimi nuk na përket e duhet ta mbajmë një gurë në zemër, se mos mësohemi e “gabimisht” ndihemi të lumtur!
Atëherë i uroj vetes të lirohem nga kjo mynxyrë, që është “lumturia”. Kjo gjë që kur s’e ke e do, e kur rrallë herë të prek, i frikësohesh!
Prandaj më mirë se çdo urim, më duhet nerv për jetën, humorin, forcën, frymëzimin që së paku mos të lodhem së ëndërruari.



Harlisjet e jetës mund të jenë edhe të rastësishme, të papritura dhe një-stinore. Sa bukuri përmban edhe kalimi midis asaj që ishte e re dhe asaj që po bëhet. Lë vend diçka që ikën diçkaje që duhet të vinte patjetër! Sado shkatërruese, mpikset jeta në çarjet e thyrjet. Aty – këtu, mundimet tona bëhen disi të shtrenjta, nuk duam ti lëshojmë. Por i pashmangshëm është shndërrimi i cili kanoset si rrezik fillimisht por kur kryhet vjen natyrshëm. Natyrshëm si lulëzimet, si rënia e frutave nga pema, si dhembja e femrës teksa lind. Si suvatë që bien, si sistemet që rrëzohen, si idetë që ndryshohen. Diçka patëm dashur për veten, tjetër gjë u bëmë, e ç’tjetër do të bëhemi? Sforcimet dalin disi të padobishme. Harmonia ka një rrugë dhe kohë të veten, plotëson dhe heq.

Sikur të mësoheshim me gjërat të thyera, të prishura, të parregullueshme… Sepse jeta – më duket- do të na mësojë këtë por ne nuk jemi nxënës të mirë.
Dëshirat tona plotësohen kur dalin nga zorrët. Ato janë të paedukueshne, anarkike, të pabindura, rebele. Të paarsyeshmet, ato do të plotësohen. Pa pyetur bien sipër nesh, si rastësisht, pa kohë. Natyrshëm.
Kështu, urime për jetën!

Shtyp këtu për porosi
l
