Nuk e dija se do të vinte dita që do të shkruaja një postim të tillë! Kurrë Gri, është titulli i librit tim të vogël! Është një koleksion poezish dhe prozash, më saktë, ndjenjash. Disa prej tyre janë nisur të shkruhen aq herët sa shumica janë përcjellë, kapërdirë, harruar. Kjo është e bukura e artit, ajo frymëzuar nga shpirti, mendimi dhe emocioni formon diçka të prekshme, të dukshme, për mua këtë libër.
Pse botova?
Ia kisha borxh vetes. Nuk pretendoj asgjë me këtë libër. Nuk jam as e para as e fundit që shkruan, as mendoj se jam më e mira. Nuk mendoj se medomos do të pëlqehet nga të gjithë. Nuk pretendoj çmime apo sukses mediatik. Dua të prek, nëse është e mundur sado pak, shpirtërat e njerëzve, t’u tregoj ngjyrat e mia që të ndihen rehat me të tyret. Të zbulojnë se poezia nuk u përket veç një lloj njerëzish, se nuk është vetëm e një shtrese të veçantë. Poezia është një gjendje të cilët disa janë thirrur të shkruajnë në emër të të gjithëve. Pra ky libër, është përkëdhelje për shpirtin tënd.
Procesi i botimit, do të gjykohet mendjelehtë dhe mendjelehtësisht. Komente si – Ç’e do? Poezitë nuk shiten, poezitë nuk lexohen, nuk ecin, poezia është kot- janë bërë dhe do vazhdohen të bëhen. Në fakt nuk i duhen njeriu muzika, piktura as poezia. Le të shtoj pra edhe unë pak kotësi! Kjo kotësi për mua është gjithçka kam për të ofruar. Është një nudo shpirti, që me shumë druajtje dhe frikë po ofroj ta lexoni.
Në vijim
Do të postoj hollësirat rreth procesit të botimit, përvojës së brendshme dhe anën praktike. Për ta bërë më interesant për ata që duan të dinë më shumë ju lutem të më shkruani pyetje rret botimit në Hajdeseflasim Instagram
Ju falënderoj nga zemra për të gjithë mbështetjen e treguar sidomos për ju që keni marr mundimin të regjistroheni dhe më ndiqni në Instagram. Ju kam xhan!