You are currently viewing Vullneti

Vullneti

  • Post author:
  • Post category:Blog
  • Post comments:4 Comments

“Duhet të kesh vullnet!” Flitet për vullnetin sikur të jetë produkt që blihet në pazar. Një nga ato produktet që çdo njeri duhet ta ketë pavarësisht nëse e përdor apo jo. Flitet për të sikur të jetë një veti vetëm për disa fatlumë, sikur të jetë e trashëgueshme në mënyrë të çuditshme. Flitet për të nga mentorët të famshëm, ashtu siç flas unë me veten për ditë para pasqyrës për t’ia dal deri në fund të ditës.

Lodhemi shpejt, i duam gjërat menjëherë, pa mund. Mbi të gjitha, pretendojmë që të gjithë të na ndihmojnë. Të gjithë të jenë në dispozicionin tonë. Mirë pra, mirë se erdhe në botën reale! Asnjë në të vërtetë nuk mund apo do të të ndihmojë të kryesh detyrën tënde. Sepse shumë do të presin ndihmë nga ty sikurse ti pret nga të tjerët. Vullneti nuk vjen vet, as nuk blihet, as nuk ta japin në pajë. Kur dikush ia del në diçka na duket tepër e lehtë sepse me siguri i pasur “krahët e ngrohta” ose është tmerrësisht e vështirë, një mision i pamundur.

Vullneti i ngjan pak tjerrjes, atij veprimit të lashtë që pak, shumë pak dinë të bëjnë akoma. Më pëlqen ta imitoj këtë veprim të magjishëm ndërsa punoj “vullnetin” tim. Do pak durim, sa pak që kam. Do pak praktikë, sa përtoj. Ke parë sa lehtë duket? Ma merr mendja nuk është, ma merr mendja nuk ka mundësi të jetë. Ashtu tirret dhe vullneti, me kujdes, se mos këputet, se mos ngatërrohet. A e ndien si thuret brenda teje dëshira për të krijuar, mbjellur, punuar, lodhur? Dëshirën për mësuar, provuar, eksperimentuar?

Tjerre vullnetin tënd. Ndërkohë aftësohemi, gabojmë, ngatërrojmë. Nëse nuk dimë mësojmë. Nëse nuk kemi frymëzimin e kërkojmë me shpirt ndër dhembë, derisa bëhemi vetë frymëzim!

Vullnet nuk kanë njerëzit që arrijnë,

por njerëzit që vazhdojnë!

This Post Has 4 Comments

  1. Xhoi

    E vertete. Mendoj se e rendesishme eshte edhe te dime te zgjedhim per cfare te tregojme vullnet e te vazhdojme te perpiqemi dhe ku te heqim dore sepse nuk ia vlejne perpjekjet.

    1. Noa

      😊

  2. Vito

    💐 interessante e ben trattato.
    Per non cadere nel rischio di Voler non volere.

Leave a Reply to Noa Cancel reply