You are currently viewing Të çuditshëm e të çuditur

Të çuditshëm e të çuditur

  • Post author:
  • Post category:Blog
  • Post comments:1 Comment

Asnjë nuk është normal. Asnjë në të vërtete, sado i shtruar pas konturëve të shoqërisë, nuk është normal. E çfarë është pastaj normal? Mos vallë përpjekja për ti ngjarë shumicës? Apo, një mënyrë për të mbytur çfarë jemi në të vërtetë?

Ti je i çuditshëm! Fjali që vjen si shantazh, e megjithatë, oh sa bukur tingëllon. Zgjedh atëherë të vesh lavdishëm petkun e një krijese groteske, më shumë se e bukur, e këtë jetë e bëj sikur të jetë alegoria e ndonjë piktor të çmendur, apo atë poezinë që asnjë nuk kupton, unë e jetoj. Nuk ka asnjë arsye për të çuditur me pahir, nuk ke pse mëshon më kot, veç ekzistenca jote është një Çudi. Në thjeshtësinë absolute të një jetese modeste, ndjen se mendimi yt po shkallmon botën, dhe shkallon njerëzimin. Çudia, është se të çuditshmit nuk duken shumë deri sa të çuditurit i imitojnë.

Të çuditurit, dhe ata nuk janë normalë, vëzhgojnë botën pa veten në të. Ata shqyrtojnë të çuditshmit duke e kthyer në një lloj sporti të kënaqshëm. Gjuajnë çudinë dhe në fund varin trofetë në bisedat të tyre normale, të ndihen mirë. Ata, nxjerrin kokën nga thesi i tyre i përditshmërisë, për të parë ty që kërcen në market, dhe kanë frikë. Të çuditurit, kanë cikël tre ditor pasi “Çudia tre ditë zgjat” dhe pas këtij afati dalin në gjueti dhe një herë. Sytë e shqyer, gojat e hapura, vetullat e gjykuese, do të numërojnë atë që je, që nuk je, pa ditur asnjë pse, fundja… kujt i duhen pse-të? Zbaviten gjithsesi!

E nuk është keq të çuditësh, vetë dua të mbetem edhe e çuditur. Të çuditem para bukurive që më shfaqen përditshëm, të mbetem gojë hapur surprizave të jetës, ato të voglat, se të mëdhatë nuk vijnë lehtë, e kur vijnë nuk të mahnisin më. Të çuditem para çdo që ndjesie jam në gjendje të ndjej, çdo diteje që kam përpara…çdo dëshire, sigurisht dashurisë. Nëse je i çuditshëm, mos u çudit nëse të tjerët çuditën, ti vazhdo çudit dhe çuditu me jetën që po shpik për vete!

Imazh nga piktura Fred Cadogan Coweper


Banner

This Post Has One Comment

  1. Rudina

    Aq shume e ndjeva kete shkrim sa nuk e di se si ta pershkruaj ❤️ dhe une e cuditshme jam dhe me pelqen kur cuditen te tjeret me mua 🤣

Leave a Reply