You are currently viewing Ranushja – Mini tregim

Ranushja – Mini tregim

Shumica e thërriste Ranushe sepse ajo rrinte po tek rëra duke mbledhur ç’gjente në të. Ranushja kalonte shumë kohë vetëm. Kështu është jeta në bregdet ke më shumë shokë duke ndenjur vetëm. Ajo kish shokun e saj Det që quhej Det. Kish shokun e saj Diell që quhej Diell. Kishte edhe ca miq që i donte shumë, ishin peshkatarët që bashkë me babin e saj iknin larg e më larg. Ajo përshëndeste grupin e burrave të lagësht teksa niseshin bosh e për t’u kthyer plot e për plot. Në shtëpi ishte rrëmujë e plot me njerëz, Ranushja preferonte molin e qetë e të vogël për të ndenjur. Për të ndenjur, por kot nuk rrinte.

sea shells on body of water
Photo by Alexandr Podvalny on Pexels.com

Zhytej, notonte e pinte çdo ditë pak nga ujë i Detit. I kripur ishte, ai e puthte. Dielli ia skuqte mollëzat dhe pak nga pak shndërroi bardhësinë e Ranushës në ar. Ranushja pranonte i përkëdheljet e miqve të saj. Asaj i pëlqente të mblidhte guaskat. Oh sa lloje! Xhepat nuk i dilnin sa u kërkoi peshkatarit me të moshuar ndihmë. Njëri qepte rrjeta peshkimi. I bëri një rrjetë të vogël e ia lidhi me kujdes në bel. Sa e lumtur ishte tani Ranushja, në fakt gjithmonë kish qenë. Guaskat shtoheshin dhe dashuria për miqtë bëhej më e fortë. Kishte gjetur një vend poshtë krevatit për të ruajtur thesaret e saj, vinte pak erë por nëna pas nja dy të bërtitura harrohej dhe Ranushja vazhdonte numërimin e pasurisë së saj. Rritej e mbarë e vogla Ranushë. Notonte, ndihmonte peshkatarët, qepte rrjetat; mblidhte nga rëra guaska, shtëpi kërmijsh, yje deti dhe lloj-lloj krijesash të thara nga Dielli. Ishin dhe ato gurët që me zi ngrinte për të ndërtuar kështjellë në cep të tarracës! Mendonte veç për atë horizont pa fund që çuditërisht nuk i sillte pyetje por veç përgjigje. Nuk njihte stinë e mot çdo ditë të saj e kalonte në plazh.

Sa herë që shkonte shtoheshin ca sende që s’kish parë përpara. Ato ishin më shumë si plehra. Plehrat që hidhnin ata “Tipat e Plazhit”. Shishe, mbeturina, teneqe të shëmtuara. Ranushja trishtohej dhe plehrat shtoheshin. Provonte e shkreta të pastronte disi por “Tipat e Plazhit” …shtoheshin po ashtu si shishet e tyre. Kokulur buzëdetit ecte zbathur, me ato gishtëza të vegjël që mbusheshin me rërë. Ecte e me inat godiste ç’gjente.  Ecte e godiste me duf. – Ahu! – bërtiti. Këmba ishte çarë nga xham shishe të thyer. Shishe e atyre pijanecëve që nuk shkuleshin nga Plazhi. Nga dhembja bërtiti shumë por më tepër nga zemërimi. Ranushja shtrëngoi dhembët dhe desh u nis në shtëpi, por u kujtua se Deti shoku i saj mbahej si shërues. Futi këmbën bufe në det dhe ngjyrosi me të kuqe edhe ujin blu. – Ah sa djeg!- Digjte vërtet. Por dallgët e dashura filluan t’ia  shëronin plagën. Sa digjte plaga aq shtrembëronte turinjtë Ranushja. Kështu kishte parë turinjtë e peshkatarëve kur ktheheshin të lodhur dhe të vrarë nga deti, por duronin. Ajo nuk do dilte më pak se ata. U shtri e lodhur me këmbën copë. Dielli tani e ngrohu nga ethet e dhembjes, pak nga pak plaga mbyllej. Ajo vajti çdo ditë për ca kohë… derisa u sherua. Deti dhe Dielli kujdeseshin për të. Tani këmbën e kishte mirë… por ajo që nuk u shërua ishte zemërimi i saj. Ranushja vajti u ul mbi shkëmb dhe filloi të dëgjonte dallgët. Po, sepse dallgët flasin, flasin një gjuhë që nuk ka rrokje as gramatikë, por kanë ritmin e zemrës. Ajo e kishte mësuar prej kohësh. Deti flet direkt në zemër. –Nëse ti nuk  e ke provuar, provoje. Hape zemrën dhe do të kuptosh. Nëse nuk e dëgjon dot mos u mundo më kot, Deti i zgjedh miqtë e tij. – Ranushja ndjeu ngushëllim, dashuri, mirësi, kujdes. Po prapë, ajo qante për rërën. Deti u kujdes, me dallgët më të forta. Dallgë premtimi. I premtoi se me çdo shishe do të bënte diçka të bukur. Edhe Dielli ishte shok i vjetër, ajo e donte shumë pavarësisht se nganjëherë e digjte pak. Dielli filloi të fliste. – Pse as këtë nuk e dini? Dielli flet me rrezet e tij të ëmbla. Nuk ka fjalor, nuk ka fjali por i flet mendjes. Të flet direkt në mendje me dritën e tij. Nëse nuk e ke provuar, provoje. Nëse nuk ndjeni as këtë, nuk ju ndihmoj dot.– Vajza ndjehu rrezet të depërtonin në mendjen e saj. Dielli i premtoi se do ta bënte rërën të bukur e të shkëlqyeshme. Atë nate pati furtunë, për ca ditë pati mot të keq. Mamaja nuk e la të dilte për ca kohë aq më tepër se i ati po pushonte nga lundrimet. Koka e Ranushes rrinte po nga plazhi. Derisa një mëngjes një vezullim vinte nga rëra. Të gjithë kuptuan se në plazh kishte ndodhur një çudi. Ajo doli me vrap, nga pas të tjerët avash-avash. Prindërit, fëmijët, plakat, peshkatarët e regjur edhe ai më i vjetri. Atë ditë të gjithë dolën në plazh për të parë shkëlqimin, vezullimin e miqve besnikë. S’ishte parë ndonjëherë. Shkëlqenin në rërë gurë të çmuar të bardhë, të gjelbër, bojë qielli dhe kuqërreme. Të gjitha nuancat e mundshme! Gurë të çmuara si të rëna nga qielli. Plazhi u hap si kuti thesari. Vezullonte kaq fort, fal Diellit, sa edhe fshati në kodër zbriti për të parë ç’rrezëlliste kaq shumë. Ranushja vështronte e lumtur. Deti dhe Dielli e mbajtën fjalën. Shpejt filloi ti mblidhte bashkë me të tjerët duke qeshur. -Do ti bëj gjerdan!- bërtiti plaka. -Po sikur ti var në dritare?- buzëqeshi mamaja e Ranushës.  – Ej, do t’i përdorim për baste- brohoritën mistrecet e vegjël.  -Jam e lumtur – tha Ranushja. – Nuk ka të keqe që ta mund të mirën. Nuk ka asgjë të ligë që mund të shkojë kundër Diellit, Detit, tokës. Plehrat u kthyen në gurë të çmuar! Tani ka shpresë se çdo gjë mund të rregullohet. Ranushja u përlot, mësoi se sado gjërat të ndryshonin Dielli dhe Deti do të ishin atje për të. Kur të shkosh në plazh kërko thesarin e Ranushës!

Lexo edhe Lisi dhe Qiparisi

green grass on sand overlooking body of water
Photo by Nathan Cowley on Pexels.com

This Post Has One Comment

Leave a Reply