You are currently viewing Populli që mbeti pa veshë

Populli që mbeti pa veshë

Na ishte një herë një popull, kishte mendje të bukur dhe fytyrë të dashur. Kishin sy, veshë, gojë e hundë të bukur. Ishin të mirë, ishin të zgjuar. . . Flisnin shumë me njëri-tjetrin dhe më shumë për njëri-tjetrin. Ah si kalonte koha duke bërë muhabet, duke thënë atë që mendonin, duke thënë atë që duhej. Një plakë na kishte hyrë në qytet, e ndenji një copë herë të dëgjonte njerëzit se ç’kishin për të thënë. Ajo, që vetmitare kish qenë gjithë jetën, nuk kish dëgjuar kaq shumë muhabet në jetë të saj. – Ah sa gojëmbël qenkan këta, a thua se duhen shumë aman! – Nuk dihet pse ajo s’kënaqej që këta njerëz ia kalonin aq mirë . . . Nuk merret vesh se ku nis e keqja.

facade of building with windows and plant
Photo by Maria Orlova on Pexels.com

Smira ka fuqinë e vet, bën fole aty ku duhet, aty ku gjithçka besohet.

Noa Nur

Ajo nisi të hapte fjalë, në fakt veç një fjali. – Lavdërimi t’i rrit veshët – Pëshpëriti në çdo vesh, e shkroi madje mbi mure, pagoi edhe disa fëmijë që ta ulërinin në çdo lagje, se ajo nuk kishte kaq zë.

Idiotësia kur vishet me ligësi sikur duket e zgjuar.

Noa Nur

Meraku kishte filluar ta zinte njerëzinë, frika se do të dukej shëmtuar e tmerroi. U mblodhën dijetarët, mjekët e lloj-lloj specialistësh. – Ah kjo është çështje e rëndësishme! – thanë mësuesit – Mbajmë përgjegjësi! – Sidomos ne që edukojmë nuk mund të lejojmë që të shëmtojmë brezat e ardhshëm! Po “sikur” të jetë e vërtetë dhe të bëhemi gazi i botës? Të na tallë e gjithë bota? Fundja ç’na kushton, ne mund të vazhdojmë të flasim, thjesht nuk do themi më lavdërime. – U vu ligj, ndalohej çdo lloj lavdërimi e komplimenti. Frika e veshëve të mëdha i bëri të heshtnin njerëzit për ca kohë. Derisa ia morën dorën dhe filluan të shanin e të mallkonin, me siguri këto ishin fjalë pa rrezik shëmtimi. Plaka duke qeshur ndër dhëmbë, pa se sa mirë ia kishte dalë, iku me fitoren e saj.

Mashtruesi kur fiton, e ka mendjen vetëm të ikë.

Noa Nur

Bisedat u bënë gjithnjë e më të ashpra, harbute, me qejf gjenin një gjë të keqe që ta thoshin me zë të lartë. Njerëzit nuk lavdëronin kurrë, por edhe nuk donin t’i lavdëronin, menjëherë duart në veshë. Veshët nuk zmadhoheshin sigurisht. Kësaj mynxyre iu shtua një tjetër, njerëzit si të çmendur hollonin, zvogëlonin, disa tërësisht i pritnin veshët. Po, se ishte bërë modë. Modë të mos lavdëroje, modë të mos merrje lavdërime, modë të mos dukeshe sikur po lavdëroje, modë se mos dukeshe sikur po pranoje lavdërimin. Ah, ajo plakë e ligë, ç’u kishte punuar! I kishte sjellë vërdallë me një mashtrim, duke ia ndryshuar mendjen, tani edhe pamjen që e kishin aq merak.

Ata u njohën si populli që mbeti pa veshë dhe u bë gazi i botës (njësoj).

Lexo edhe Ranushja

This Post Has 2 Comments

  1. Dorina

    O sa shkrim i bukur! Se mos të rriten veshët 😜

    1. Noa

      Ahah, do i presim!

Leave a Reply