You are currently viewing Lisi dhe Qiparisi – Mini tregim

Lisi dhe Qiparisi – Mini tregim

Lisi prej vitesh pati zaptuar dheun. Rrënjët formonin duar, krahë, gishtërinj e muskuj që dëpërtonin tokën, aty njerëzit dhe kafshët pushonin nën kurorën e harlisur. Lisi kishte një jetë të plotë . . . plot me zogj cicërues, nga hera acarues. Plot me insekte zukatës herë pas here bezdisës. Brejtës të vegjël, hardhuca e lloj-lloj kafshësh kalimtarë. Shoqëria ka një të mirë, e bën kohën të kalojë shpejt . . . nëse është e mirë . . . nëse është mirë.

I dashur, bujar, ofron strehë dhe hije me bollëk. Kurora e tij e rrumbullakët është e bukur, si çdo gjë e bukur në këtë tokë . . . Toka vetë e rrumbullakët, hëna, dielli. Ke parë shpesh natyra na sjell të bukurën në formë rrethi? Lisi donte paqe. Në kaq shumë zhurmë e gjurulldi i mbante sytë pak më larg. . . Aty ku mbaronin rrënjët fillonte liqeni dhe ku mbaronte liqeni, në bregun tjetër. . .

Ishte një qiparis. Ishte sigurisht i gjatë, majën drejt qiellit. I drejtë, shumë i drejtë. Zogjtë e gjallesat vërtiteshin përreth, por nuk gjenin dhe aq shumë strehë të bollshme, e iknin për nga Lisi. Ato pak zogj që arrinin të qëndronin në majën e pemës së gjatë shikonin lart e shumë larg. Qe i vetmuar por largpamës me siguri, i heshtur, i shumë ditur. Nga maja e tij e lartë kishte pamje shumë të ndryshme se nga çdo vend tjetër.

Artwork by Entela Lipe Tomorri

Darkave Lisi shndriste nën hënë, dukej si një tufë yjësish, buzë Liqenit dukej miku përballë i qetë, i sigurt . . . i paarritshëm. Maja në qiell, i hedhur përpjetë në gjendje hyjnore . . . Njërit i ishte më pak e tmerrshme vetmia, tjetrit rrëmuja më e durueshme.

Sa të ndryshëm! Ndodhte darkave kur nata binte qetësi, të flisnin me marifete të padëgjuara më parë. Era frynte, çonte mesazhe, lëviznin gjethet dëgjoheshin mendimet e njëri-tjetrit. Çdo valë liqeni i përcillte fjalë njërit dhe tjetrit, e këto vinin si përkëdhelje miqësore.

green tree near brown wooden bench
Photo by ROMAN ODINTSOV on Pexels.com

Çdo mungesë e njërit ishte e tepërt tek tjetri. Ajo që trishtonte njërin ngazëllonte tjetrin. Qiparisi nopran shihte nga larg me pak zili gjithë jetën dhe harenë që mbulonte pemën përballë. Lisi shihte adhurueshëm lartësinë e paqtë të pemës së qetë në bregun tjetër.

– Pse nuk shkulem dot e t’i afrohem sadopak?  – ankohej

 – Ah sikur të afrohesha, mbase do mësoja nga lartësia e mendimeve të tua. – jehonte Lisi ndër valë Liqeni.

 – Ç’është ky mallkim! Të shoh ngazëllim e mos të jem pjesë e saj? – ia bënte të shkulej, po më kot.

 – Me të vërtetë, shoh prehje dhe paqe e mos të qetësohem në të? –rrotullonte rrënjët se mos lëvizte . . . por hiç asgjë.

Kështu përsëri binte heshtja. Drita e mekur e darkës i vinte vulën trishtimit që kishte zaptuar pemët.

Është një çast para natës, heshtje, ku çdo gjë qetësohet. E gjithë bota sikur mbyll sytë, sikur fiket . . . por në të vërtetë diçka po ndizet.

Liqeni ndër avuj e bulëzash sikur shumë rrallë, u gufua, filloi të fliste me pikla që vinin nga lart por buronin prej tij. Liqeni fliste rrallë, dëgjonte më shumë. Ndërkohë kishte mbledhur pezmatimin e pemëve. Ngazëllimi i tyre përfundonte shpesh në mërzitje prej largësisë.

Ia nisi Liqeni lehtë me zë të dashur:

 – Nuk keni pse mërziteni kaq shumë. Ju lageni nga të njëjtat ujëra. Unë i ujit rrënjët tuaja po njësoj. Unë jam edhe Liqen por edhe Urë, që përmes valësh të qeta ju kam përçuar fjalët pa përtesë. A nuk lageni po ashtu nga i njëjti shi që buron nga të njëjtat re që kanë thithur ujë po nga unë? Po Dielli a nuk është i njëjti?

Ju jeni më të ngjashëm se ç’dukeni, më afër se ç’mendoni. Ju jeni pjesë e të njëjtit peizazh. Peizazhi bëhet me ju të dy në skaje të ndryshme, hapësira në mes nuk është bosh, është Liqeni që ju mban gjallë. Ju bashkojnë të njëjtat rryma, të njëjtat bulëza, të njëjtat aroma. A nuk është kjo forcë e pathyeshme? Po sikur të afroheshit a nuk do të prishej ky rreth i përsosur? Kishte folur gjatë sa u shastisën dhe rosat e përgjumura.

Heshtja ra përsëri. Pemët nuk folën më. Liqeni ra në qetësinë e tij të përhershme.

Ata, tani shikoheshin veç me mirësi. Filluan në heshtje të shqetësoheshin për rrënjët tyre, të cilat mbase po të rriteshin shumë e të zgjateshin mjaft . . . mos ndoshta vallë do të prekeshin një ditë? Mbase pas shumë kohësh, kështu natyrshëm do të arrinin të ndërthureshin një herë. Sikur kjo mos të ndodhte kurrë, ishte zgjatja e rrënjëve drejt njëri-tjetrit dhe jo shkulja për njëri-tjetrin që do t’i bënte mirë, sigurisht pemë më të harlisura.

Shënim: Artwork by Entela Lipe Tomori Entela u frymëzua nga tregimi, arti është përjetim i ndarë, shkon ca andej-këndej nga një mendje tek tjetri. Gjesti i saj bujar të marrë kohë për të menduar rreth tregimit tim modest e çmoj tejmase. Më e pakta për ta kthyer këtë vëmendje është t’ju ftoj të shihni galerinë e saj online.

Lexo edhe BojËndërr

This Post Has 2 Comments

  1. Vitus

    ❤️Shume te bukur che te prekshme.

Leave a Reply