You are currently viewing Ke apo Je?

Ke apo Je?

Dëshirat, sa shumë që janë, të ndryshueshme, të tjera atje si fiksim i pandarë. Duam të kemi gjithçka na duhet, na pëlqen dhe na ndihmon. Presim të varet jeta jonë nga çka kemi. Kur të blej makinën do të udhëtoj, kur të kem  aparatin e ri do të bëj fotot, kur të kem shtëpinë do të ftoj njerëz, kur të kem para do të jem i lumtur. Përzihet konceptit Kam me konceptin Jam.  Më pëlqejnë gjëra të bukura dhe lista ime e dëshirave është gjithmonë shumë e gjatë dhe përditësohet shpesh. Megjithatë, gjithmonë mendoj se të jesh është më e rëndësishme se sa të kesh. Në radhë të parë duhet të jesh që të shijosh vërtetë çka të jepet, çka të falet, çka fiton me mund. 

Do t’ju zbuloj një sekret timin. Më ka ndodhur jo rrallë të dëshiroj pikërisht gjënë më të bukur dhe normal më të shtrenjtën. Mendoj pse pikërisht ato këpucë, pse pikërisht atë pallto? Pasja është më e fuqishme se qënia? Kështu eksperimentoj me veten herë pas here. Pas një dëshire shpesh fshihet një ndjenjë, emocion, Atë që vërtetë kërkojmë është të ndihemi të sigurt me veten, më të pranuar, të bukur, më të shkathët, më të mirë. Kështu e provova atë fustanin që mendoja se më bënte të ndihesha kështu, dhe ndërkohë shijoj ndjesinë që më jep. Ndërsa shijoja sa bukur më rrinte dhe sa tigër ndihesha analizova se në të vërtetë jam unë që i kam ato cilësi e jo fustani. Sepse unë nuk ngjaj si tigër, unë jam tigër! Nuk janë takat që medoemos më bëjnë me femërore, unë jam vetë femërore edhe zbathur. Për atë ditë, e lë fustanin atje, mbase do ta blej më vonë. Rëndësi ka që unë ndihem mirë me veten. E kam përsëritur me shumë gjëra dhe ka funksionuar, një ushtrim  të vogël për të qenë e sigurt se nuk është nevoja të kem që të jem. Të jesh është diçka që nuk varet nga pamja apo zotërimi i tyre, kur e kuptojmë këtë qenia jonë kalon në një gjendje të privilegjuar. Kjo vetëdije na liron të jemi vazhdimisht duke kërkuar diçka për tu ndjerë më mirë me veten dhe me të tjerët.

Ti mund të jesh një djalë i shkathët dhe pa dal nga një makinë luksi, mund të jesh një vajzë tërheqëse dhe pa veshur rroba të firmuara. Puna më e madhe është me veten e jo të zotërosh sende për të vërtetuar një status. Të gjitha këto ndjesi mund t’i gjejmë brenda nesh thellë por që mjerisht ia marrim borxh sendeve  që të ndihemi më mirë.

Para se të kem dua të jem! Të ekzistoj plotësisht me atë çka jam, them, bëj. Të jem një qenie e plotë që rrëzëllen energjinë e vet në këtë thëlpi jete që më është dhënë. Të jem, të jem pavarësisht asaj që kam.

Para se të kesh, Ji!

This Post Has 2 Comments

  1. Dorispaintbrushes

    👍👍 Vertet, ne kete kohe lum kush e kupton keshtu!

  2. Pluton

    👏👏👏

Leave a Reply to Dorispaintbrushes Cancel reply