You are currently viewing Ja kështu, me hijeshi

Ja kështu, me hijeshi

Yllka, ecte ngadalë, i dridheshin duart aq sa  kur të sillte kafenë gjysmën e derdhte në korridor. Ulej me kujdes dhe shijonte kohën me ty me një buzëqeshje noprane. Ishte e plakur, këmbët e fryra nga tromboza, flokët e bardha të krehura vazhdimisht gjatë ditës. Në mëngjes, para se të krihej, vinte një shall prej tyli që lidhej në grykë, kështu që flokët të cilët çdo ditë rralloheshin, mos të binin te rrobat e saj. Ora 9 nuk e gjente me rroba gjumi. Ajo vishte një fustan, një përparëse të rehatshme që të gatuante e të bënte ato pak punë që kishte mundësi të bënte. Edhe nëse nuk do të dilte ajo vishte get, këpucët e saj të rehatshme, një varëse perlash të vetme që kishte.

Komoja e saj, ishte një tempull. Aty takoheshin mendimet, kujtimet e saj, ndjesitë femërore të çdo stine të saj dhe lutjet. Çdo sirtar vinte aromë sapuni, kishte shumë pak rroba, cilësore. Pasi pushonte pak pasditeve, vishej përsëri, pak më bukur, vinte nja dy pika parfum, dhe kështu dilte në ballkon dhe lexonte, lexonte për orë të tëra. Ajo nuk të jepte mend, as nuk përpiqej ta bënte. Të rinjtë në fakt, i dinë të gjitha vetë, vetëm tregonte historitë e saj. Ajo nuk ishte lyer kurrë në jetën e saj, vishej vetëm me pambuk, mëndafsh dhe lino. Nuk kishte gjithmonë të drejtë, por ajo ishte gjithmonë vetvetja. Kishte punuar me të shoqin në krah. Mungesa e tij ishte e madhe, por nuk ishte e varur prej tij. Vazhdoi të jetonte me diçka që quhet dinjitet. Dinte të ankohej, me fjalë antike, sa të dukej vetja në një roman klasik. Dinte dhe të qeshte me të madhe për batutat që dëgjonte. Verës hante akullore në ballkon, shije lajthi, me kaush. Dëgjonte opera dhe romanca. Nuk u përgjigjej kollaj pyetjeve as nuk bënte shumë. Ishte e zgjuar, e zonja. – Nuk kam qenë e bukur – thoshte, por ajo ishte e hijshme, shpesh në humor, femërore në sjellje. Yllka nuk  kërkonte puthje e përqafime, me masë i jepte, duke u pastruar me parë me shaminë që mbante në mëngë.

Fjala që më shumë lakohej prej saj ishte Hijeshi... Kur gatuante, kur bënte punët, kur blinte, kur bënte çdo gjë thoshte: Ja kështu, me hijeshi.

Yllka ishte gjyshja ime.

This Post Has 6 Comments

  1. Elisa

    Ça kënaqësie teksa lexoja çdo fjalë. Mu duk sikur isha aty me gjyshen. 😍 Të lumtë dora 🌹

  2. Dorispaintbrushes

    😊😊👏👏👏 Nje pershkrim shume i bukur! Duke e lexuar, nxiteshe ta perfytyroje zonjen dhe te ndieje atmosferen!

  3. Elmira

    Vertet shume e bukur, bravo per pershkrimin!

  4. Tani Marku

    Shumë bukur Noa! Këto pershkrimet e hollësishme më pëlqejnë shumë. Më kujtojnë pak stilin e Balzac.
    🙂

    1. Noa

      🙂 Faleminderit, jo kaq lart …

Leave a Reply to Tani Marku Cancel reply