You are currently viewing Hej dështak

Hej dështak

Heronjtë e vërtetë

Ata nuk kanë kohë të jenë të suksesshëm. Nuk kanë kohë të valëvisin arritjet e tyre. Ata kujdesen tepër të shpëtojnë botën e jo të jenë të famshëm. Nuk kanë kohë të korrin lavdi e fitore.

Jeta nuk të ka bërë fitimtar, nuk të ka bërë të arrish “diku”. Ndoshta, ndoshta zgjedhjet e gabuara, gafat e adoleshencës, njohjet e gabuara, mundësitë që nuk vareshin nga ty. Nuk ke arritur aty ku “duhet”. Nuk ke arritur aty ku të gjithë thoshin se duhej të ishe. Sinqerisht, po ku duhet të ishe?

Nuk ke arritur majën, hë? E cila na qenka maja? Kush e ka vendosur se duhet të arrijmë të gjithë madhështinë? A është maja të kesh gjithçka të kalon në mendje? A është maja të ndihesh i plotfuqishëm mbi të tjerët?

Pa shikoje veten, o dështak, nuk arrite dot majën sepse ke qenë gjithmonë i zënë të merreshe me të tjerët, miqtë, familjen, tërë botën. I the vetes Jo për t’i thënë gjithkujt Po. Dhe ti e quan akoma veten dështak?

Arritjet e tua janë të tjera.

Je hero sepse çdo ditë i buzëqesh jetës, kur në të vërtetë të vjen të qash. Je akoma në këmbë, ndonëse të kanë rrahur shpesh. Nuk shtyp njeri edhe nëse ty të kanë ulur gjithmonë. Ke guxim të shohësh akoma ëndrra të reja se të vjetrat ti kanë shkulur një e nga një. Ti thua se nuk ke asgjë, por shumë ushqehen nga dora jote. Ushqen me fjalë të mira shokë e të panjohur. Ti ulërin ndaj padrejtësisë dhe thua se nuk ke zë të flasësh. Sa më shumë dështon me veten, ngrihesh fluturues në sytë e njerëzve mirënjohës. Sa më shumë të duket se je mbrapa do hedhësh hapa të vegjël, por të vërtetë. Ti që nuk e rëndon shpirtin e askujt, ngre të tjerët. Ti që ke frikë edhe të marrësh frymë se mos pengon a prish punë, nuk e kupton se je balonë në furtunë?

Ti shpëton botën çdo ditë dhe thua se je dështak!. Je superman, e ti ndihesh dështak!. Fluturon lart dhe ke frikë nga hapi yt!. Heronjtë e vërtetë nuk janë gjithnjë të famshëm, ata fshihen rrugëve të errëta të qytetit ndërsa gjuajnë raste për të dhënë një dorë.

Je hero sepse di të kapësh qiellin me dorë, me dorë di të përkëdhelësh e të mbash fillin e jetës. Je hero zemër-fëmijë që guxon të shpresosh, të kërkosh akoma të mirën rreth teje, dhe e gjen edhe kur nuk ka më.

Nëse ndihesh dështak është sepse ke një zemër që rreh më shumë se ç’duhet. Sepse ke luftuar, rrahur fort, ke vrapuar, ecur vetëm për tepër kohë. Po prapë çdo herë që je ndier i braktisur ke vendosur të shoqërosh dikë.

Ndoshta nuk ke për atë arritur diku, sepse tashmë ke ecur shumë. Ke bërë më shumë se ç’mendon, më shumë ç’mundje.

*Është shkruar në gjini mashkullore por sigurisht vlen për të gjithë

This Post Has One Comment

  1. Geraldo

    Çdo fjale dhe rresht esht perfekt dhe kur e lexon te ben te ndihesh hero! 🙂 🙂

Leave a Reply to Geraldo Cancel reply