You are currently viewing BojËndërr – Mini tregim

BojËndërr – Mini tregim

Netëve pa gjumë më pëlqen të loz pak me tregime dhe përralla. Nuk di si ti quaj. Di se këto frymëzime të thjeshta dhe fëminore janë pjesë e imja, dhe ja që e ndaj me ju. Fantazia për mua është vend ku shkoj për të gjetur zgjidhjet e mbijetesës së reales. Fantazia për mua është një cep ku mund të mbledh veten, pushoj. Hëna shpesh më bën shoqeri. Ëndrra dhe realiteti përzihen është një vije e hollë që i ndan, një vijë që përzihet pa u prishur. Mirë se erdhet në Hënën time.

photo of moon
Photo by Pixabay on Pexels.com

BojËndërr

Në një vend të freskët qëndroj.

Krateret e thella herë si djep herë si sunduk i përdor. Më pëlqen të rri mbi hënë. Vetmia më shkon. Rri e qetë në paqen time, shkëlqen ajo shkëlqej dhe unë.

Fap-fap-fap, punoj unë. Kam goxha detyrë… Ju shihni ëndrra mua më ra për pjesë ti rregulloj.

Vët-vët-vët, më duhet ti shoh një nga një dhe me qejf i ndaj, i emërtoj, i rregulloj.

Ndërsa dritën therëse së ditës ju gëzoni, unë ulem qetë-qetë e punoj mbi hënë, nën dritën si abazhur të saj.

Hëna zhduket, dukem unë. Hëna duket, zhdukem unë.

Pu-pu-pu më duhet të ndaj pak makthet më vete… Ato nuk duhen. Madje më duhet të ngjyros ato ëndrra bardhë e zi, se kështu nuk pranohen!

Of-of-of lodhem pak… Ngjyros  dhe jashtë konturëve, vizatoj lule aty ku nuk janë. Disa, nuk dinë të shohin ëndrra fare dhe mua e mjera më duhet ti bëj nga e para se pa to nuk i lë dot!

Tak-tak-tak , sa penela kam, ngjyra dhe më shumë. Të gjitha nëpër gishta i rrotulloj ato se elbete më duhen shpejt. Nuk kam dëshirë t’i kombinoj. Ngjyrat ashtu duhen të çkombinuara që të shkojnë me ëndrrat.

Paf! Mos, më ra peneli, po deshe kape ti! Ç’risk të mirë të ra! Peneli rozë bam në kokë, ngjyrose ditën tënde! Jetën tënde! Do të duket vetja lule. Po të shoh nga lart nuk dukesh dhe kaq keq…

Opa, desh rrash nga hëna e bardhë duke parë se ç’behej atje poshtë… Shiko pak, unë kam vendosur: Do të hedh çdo ditë nga një penel me bojë. Ta kap kush të dojë e të ngjyros ç’të dojë. Po ti, po qesh i shkathët, mblidhi që të gjithë!

Nc-nc-nc- Pyesni shumë ju andej poshtë… Si quhem, si dukem, si vishem…

Ju them vetëm se kur natën zgjoheni padashje unë aty  jam, ngrini kokën me terezi do më shihni mbase pak dhe mua. Unë nga larg në shenjë miqësie do t’ju spërkas me një ngjyrë të bukur, nga unë krijuar që asnjë s’e ka shijuar!

A e din?  Quhet … Bojë-Ëndërr, është veç për ty!

Lexo edhe Jashtë Kohës

This Post Has One Comment

Leave a Reply